Kjo është dhoma e repartit të pneumologjisë në spitalin rajonal të Shkodrës e cila u përfshi nga flakët në orët e para të mëngjesit të 22 prillit.

Ka qenë ora 6:45 e mëngjesit kur dhoma e një pacienti në repartin e pneumologjisë në katin e katërt të spitalit të Shkodrës u dogj nga një zjarr i rënë. Në njoftimin e tij spitali rajonal i Shkodrës bën me dije se menjëherë pacientët që ndodheshin brenda dhomës janë evakuar në kohë duke mos pësuar lëndime. Pas zjarrit të rënë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e repartit zjarrëfikës të Shkodrës duke bërë të mundur shuarjen e flakëve. Ndërhyrja në kohë ka bërë që zjarri të mos përhapet në dhomat e tjera të spitalit.

Ndërkohë nga zjarri i rënë janë shkaktuar vetëm dëme materiale tek kjo dhomë e pacientëve. Nga ana tjetër burimet bëjnë me dije se kjo ngjarje ka ndodhur në mënyrë aksidentale. Një pacient brenda dhomës ka qenë duke përdorur një bombol gazi për nevojat e tij personale dhe papritur flakët kanë nisur të përhapen brenda dhomës. Pacienti dhe personat e tjerë që ndodheshin aty kanë arritur që të dalin me shpejtësi.

Pas shuarjes së flakëve nga zjarrëfikëset, spitali rajonal i Shkodrës siguron se shërbimi vijon pa ndërprerje dhe se po merren masa të menjëhershme për riparimin e mjedisit ku ka rënë zjarri. Në vendngjarje mbërritën edhe shërbimet e policisë në ndihmë të forcave zjarrëfikëse. Ndërkohë grupi hetimor vijon punën për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të zjarrit që përfshiu dhomën në repartin e pneumologjisë në spitalin e Shkodrës. Ajo dhomë që u dogj për momentin ndodhet e mbyllur deri në momentin që të kryhen gjitha veprimet si dhe të riparohet pas dëmeve të shkaktuara.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakPOLICIA GJEN 220 FIDANË KANABIS, ARREST PËR 58 VJEÇARI
Artikulli tjetërSPAHIA: T’I JAPIM ZHVILLIM SHKODRËS