Një zjarr ka përfshirë një shtëpi në katin e pestë të një pallati në qytetin e Shkodrës. Ngjarja ndodhi në orët e mesditës. Sipas burimeve një bombol gazi ka shpërthyer në pjesën e guzhinës të shtëpisë duke bërë që flakët të përhapen me shpejtësi duke shkrumbuar pjesën më të madhe.

Dy të moshuar që ndodheshin brenda kanë dalë më përpara nga banesa duke arritur që të shpëtojnë duke bërë që të mos ketë të lënduar në njerëz. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrëfikëse por ka qenë e pamundur që të futen nga mbrapa pallatit për shkak se rrugica është e ngushtë dhe në ato momente ka qenë e bllokuar duke vështirësuar tepër ndërhyrjen për efektivët zjarrëfikës.

Megjithatë është arritur që zjarrëfikësit të ndërhyjnë edhe pse kanë vonuar më shumë se sa në një situatë tjetër për shkak të rrugës së bllokuar. Pavarësisht se zjarri është vënë nën kontroll duke u neutralizuar dëmet materiale në banesën e dy të moshuarve janë të konsiderueshme. Për disa momente disa banorë të tjerë kanë mbetur të bllokuar për shkak të tymit që ka mbuluar atë pallat por më pas kanë arritur që të dalin jashtë duke qenë të sigurtë dhe pa probleme kjo edhe me ndihmën e efektivëve zjarrëfikës. Nga ana tjetër shtëpitë e tjera ngjitur nuk kanë pësuar dëme ndërsa i vetmi problem është tymi që është përhapur.

Bombolat e gazit në banesa të ndryshme në qytetin e Shkodrës vijojnë të jenë një shqetësim duke krijuar këto situata me zjarre të cilat rrezikojnë vetë banorët apo edhe shkaktojnë dëme të konsiderueshme materiale. Nga ana tjetër po aq problem mbeten rrugicat që një pjesë janë të ngushta dhe nuk lejojnë zjarrëfikëset që të futen për të ndërhyrë apo edhe shpesh herë bllokohen nga parkimi i makinave duke sjellë një rrezikshmëri të lartë në rastet si ky i sotshmi.

Artikulli paraprakGJUETIA E PALIGJSHME, PESË PERSONA PARA DREJTËSISË
Artikulli tjetërEKSPOZITË ME 80 SPECIE NGA LIQENI I SHKODRËS