Administrata publike hap dyert për të gjithë kandidatë nga jashtë shërbimit civil. Vendimi vjen disa ditë pasi kryeministri Edi Rama premtoi 1 vende pune në administratë për studentët me mesatare mbi 9.

Nëse deri më tani, në shumicën e vendeve të lira në administratë alternoheshin po ata punonjës që ishin brenda sistemit, një vendim i fundit i qeverisë, hap rrugën për t’u bërë pjesë e administratës çdo kandidat jashtë saj, që plotëson disa kritere të parashikuara në ligje dhe vendime, sipas profilit të punës.

Bëhet fjalë vendimin e qeverisë nr. 746, datë 19.12.2018, i cili ndryshon vendimin nr. 243, datë 18.3.2015, për pranimin, lëvizjen paralele, periudhën e provës dhe emërimin në kategorinë ekzekutive.

Vendimi ndryshon pikën 10 të kapitullit dy të vendimit në fuqi, për procedurat e pranimit në administratë. Pika 10 e ndryshuar përcakton që shpallja e procedurës për pranimin në administratë është e hapur për të gjithë kandidatët nga jashtë shërbimit civil.

Në praktikën e deritanishme, një vend vakant ishte fillimisht i hapur vetëm për punonjës të administratës dhe vetëm nëse ky proces dilte i pasuksesshëm, kishin mundësi të merrnin pjesë kandidatë jashtë sistemit.

Krahas heqjes së kësaj barriere, vendimi i fundit i qeverisë, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare duke hyrë në fuqi, parashikon edhe ndryshimin e nivelit të pikëve të mundshme për kandidatët për të kaluar në një fazë tjetër të testimit.

Konkretisht, në vendim thuhet se nëse kandidati grumbullon më shumë se gjysmën e pikëve (mbi 30 pikë) nga vlerësimi me shkrim, ai kualifikohet për të kaluar në procesin e vlerësimit të jetëshkrimit. Vlerësimi me shkrim është deri në 60 pikë.

Gjithashtu, nëse kandidati grumbullon mbi 45 (dyzet e pesë) pikë nga vlerësimi me shkrim dhe vlerësimi i jetëshkrimit së bashku, ai kualifikohet për intervistën e strukturuar me gojë. Jetëshkrimi vlerësohet deri në 15 pikë.

Vendimi i fundit parashikon gjithashtu se nëse kandidatët që nuk paraqiten për të zgjedhur pozicionin e punës, sipas ftesës së bërë nga njësia përgjegjëse, pa shkaqe të arsyeshme, humbasin të drejtën e zgjedhjes nga lista e pozicioneve për të cilën janë ftuar të zgjedhin dhe të drejtën e qëndrimit në listën fituese.

Premtimi i kryeministrit
Disa ditë më parë, kryeministri Edi Rama, deklaroi në një komunikim “live” në “Facebook” se, 1000 studentë ekselentë do të fitojnë në mënyrë të menjëhershme vendin e punës në administratë.

Ai cilësoi se punësimi i tyre do të jetë pa konkurs, vetëm me meritën e notave. “1000 vende pune në administratë nga klasifikimi i studentëve me mesatare 9 deri në 10, në të gjithë fushat, të cilëve do t’u ofrohet vend pune. Pa konkurs fare, me meritën e notave, pas një viti do i nënshtrohen konkursit”, tha Rama.

Kandidatët do të vlerësohen për integritetin
Departamenti i Administratës Publike, në një raport të fundit që ka dorëzuar në Kuvend, thekson se ka planifikuar që kandidatët që do të rekrutohen në administratë do të verifikohen edhe për integritetin, bazuar në përdorimin e disa pyetjeve.

“Zbatimi i mekanizmave ligjorë për të testuar dhe verifikuar paraprakisht integritetin e kandidatëve për vende pune dhe në vijimësi integritetin e punonjësve, në administratën publike, nëpërmjet:

Përdorimit të pyetjeve që vlerësojnë integritetin e kandidatëve, duke bërë pjesë të procesit të përzgjedhjes testimin e elementëve që lidhen me ndershmërinë dhe integritetin e individëve, të cilët punësohen në sektorin publik si parakusht për parandalimin e korrupsionit.

Verifikimit paraprak të të gjithë punonjësve që emërohen në pozicione të shërbimit civil, trupin diplomatik, si dhe në çdo nivel drejtues në administratën publike, bazuar në ligjin 138/2015”, ka theksuar DAP.

Ndryshimi i vendimit

Pika 10 ishte
-Dokumentacioni duhet të dorëzohet jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë kalendarike nga dita e parë e shpalljes në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, sipas përcaktimit në shpalljen për konkurrim.

Pika 10 bëhet
-Shpallja është e hapur për të gjithë kandidatët nga jashtë shërbimit civil. Dokumentacioni duhet të dorëzohet brenda datës së përcaktuar në shpalljen për konkurrim. Kjo datë përcaktohet duke siguruar që afati i dorëzimit të dokumentacionit të mos jetë më i vogël se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë kalendarike nga dita e parë e shpalljes në:

-Faqen zyrtare të DAP-it dhe portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, për institucionet e administratës shtetërore;

-Portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, në faqen zyrtare të internetit dhe në ambientet e brendshme, për institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore.

Ristrukturimi i ministrive, u shkurtuan 366 vende pune
Nga ristrukturimi i ministrive në vjeshtën e vitit 2017, janë shkurtuar 366 pozicione pune.

Në tetor të vitit 2017, pas krijimit të kabinetit të ri qeveritar, numri i portofoleve ministrore, si dhe organizimi i brendshëm i tyre (struktura dhe organika) ndryshuan.

Si rezultat i miratimit të strukturave dhe organikave të reja, rezultoi se numri i ministrive u reduktua nga 16 në 4-vjeçarin e kaluar, në 11. Ndërkohë që numri i pozicioneve të punës, ndryshoi nga 2494 pozicione, në 2128 të tilla, me një shkurtim prej 366 pozicione pune.

Në veçanti numri i pozicioneve të shërbimit civil ndryshoi nga 1874, në 1624, me një shkurtim prej 250 pozicione pune. Duhet të theksojmë këtu se

një ndër elementët e organizimit të brendshëm të Kryeministrisë dhe ministrive të linjës ishte edhe kalimi i funksioneve të teknologjisë së informacionit të institucioneve të administratës shtetërore, në Agjencinë

Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Që në momentin e inicimit të procesit për hartimin e strukturave dhe organikave të reja të Kryeministrisë dhe ministrive të linjës

, punonjësit u njoftuan për fillimin e procesit të ristrukturimit të ministrive të linjës dhe Kryeministrisë, duke respektuar kështu afatin e njoftimit të nëpunësve civilë të paktën 1 muaj përpara.

Pas miratimit të strukturave dhe organikave të reja, Departamenti i Administratës Publike krijoi komisionet e ristrukturimit për Kryeministrinë dhe secilën nga ministritë e linjës.

Komisionet e ristrukturimit në vendimet e tyre për propozimin e transferimit të nëpunësve civilë, apo atë të përfundimit të marrëdhënies së punës në shërbimin civil për arsye të ristrukturimit, u bazuan në: (i)

krahasimin e përshkrimeve të punës; (ii) përvojën e nëpunësve civilë në tërësi në shërbimin civil dhe përvojën në pozicione të njëjta apo të ngjashme; (iii) shkallën e arsimimit, kualifikimet dhe trajnimet; (iv) vlerësimet e rezultateve në punë.

PUBLICITET