AKU gjobit 119 biznese, nuk garantuan sigurinë për mishin

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka vijuar kontrollet në të gjithë vendin për garantimin e sigurisë ushqimore. Janë ushtruar kontrolle në subjekte që tregtojnë mish që importohet, por edhe në biznese që tregtojnë mish që vjen nga tregu vendas. Kontrollet janë fokusuar në markete, dyqane dhe çdo subjekt tjetër. Nga 880 inspektime, janë marrë masa gjobë dhe paralajmërim për 119 subjekte. Gjobat janë vendosur për mosplotësimin e kushteve higjieno-sanitare, tregtimi jashtë kritereve të përcaktuara nga ligji, apo edhe për mungesë dokumentacioni. Gjithashtu ndaj 8 subjekteve është marrë masa ‘Bllokim aktiviteti’ për shkak se nuk plotësonin kushtet për sigurinë ushqimore. Janë sekuestruar 146 kg mish, të cilit i mungonte vula e thertores së liçensuar. “Për shkak edhe të shqetësimit në disa media ndërkombëtare, që ka të bëjë me mishin që vjen nga Brazili, AKU do të vijojë të kontrollojë imtësisht çdo lloj produkti që vjen nga jashtë Shqipërisë. Për mishin që vjen nga Brazili, analizat nga laboratori i ISUV kanë konfirmuar të njëjtën përgjigje si të laboratorëve të AKU-së, ku ka rezultuar brenda parametrave që parashikon ligji, por AKU do të jetë e vëmendshme ndaj çdo sasie mishi që do të importohet në vendin tonë. Me afrimin e sezonit turistik AKU po përgatit një plan të ri masash dhe inspektimesh vetëm për përballimin e këtij sezoni”, thuhet në njoftim. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të abuzimit me ushqimet.

Artikulli paraprakBASHA:RAMA NË ORËT E FUNDIT SI KRYEMINISTËR, NE LUFTOJMË PËR ZGJEDHJE TË LIRA
Artikulli tjetërAKTIVITETI ARTISTIK I GJON STEFES