“Asnjë fjalë për opozitën jo parlamentare, në Kuvend”. Kjo është porosia që Gramo Ruçi u ka dhënë deputetëve të Partisë Socialiste, sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së.

Në mungesë të kryeministrit Edi Rama, mbledhja u drejtua nga Ruçi. Burime nga mbledhja, thanë se Ruçi i ka dhënë porosi deputetëve për seancën e radhës.

“Në sallë të mos diskutohet asnjë në lidhje me opozitën”, mësohet t’i jetë drejtuar ministrave dhe deputetëve, Gramoz Ruçi.

“Të ketë prezencë në sallë dhe disiplinë. Objekt diskutimesh të jenë vetëm ligji dhe qytetarët”, – ka theksuar ai.

Seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë do të mbahet me 13 mars, pasi e enjtja qëllon të jetë festë zyrtare, Dita e Verës, 14 marsi.

Në këtë seancë pritet të betohen edhe 6 deputetë të rinj të opozitës, të cilët marrin mandatin nga KQZ, pas dorëheqjes së opozitës së bashkuar. Deri më tani në Kuvend pritet të ulen 13 opozitarë.

4 kandidatë nga listat e LSI në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, pranuan mandatin dhe u betuan deputetë javën e kaluar, 6 kandidatë nga PD dhe LSI e marrin mandatin sot nga KQZ,

ndërsa në Kuvend janë dhe tre opozitarët që nuk hoqën dorë nga mandati. Mylsim Murrizi, Rudina Hajdari dhe Lefter Koka, duke e çuar në 13 numrin e deputetëve të opozitës në Kuvend.