Bundestagu gjerman ka votuar në favor të hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Me 350 pro, 188 kundër dhe 16 abstenim parlamenti gjerman i hapi dritën jeshile vendit tonë.

Lajmin e bëri publik edhe ambasadori i BE në vendin tonë, Luigi Soreca, i cili në një postim në twitter tha se “Bundestagu gjerman ka votuar këtë mbrëmje në favor të hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në tetor”.

Gjatë diskutimeve deputeti i SPD, Josip Juratovis kërkoi hapjen e negociatave për Shqipërinë, duke deklaruar se duhet t’i japim një shans Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Deputeti i CDU/CSU, Florian Hahn tha se Shqipëria ka bërë përparim në sistemin e gjyqësorit, por ka ende punë për të bërë në luftën kundër krimit të organizuar.
“Po të votojmë për Shqipërinë i japim një shans historik. Kemi vendosur kritere shumë të forta për Shqipërinë, të ndara në dy faza. Hapja e negociatave nuk do të thotë anëtarësim”, Florian Hahn.

Deputeti tjetër i CDU/CSU Peter Beyer tha se duan të shohin rezultate konkrete në Reformën Zgjedhore.

” BE nuk e braktis këtë rajon, ata janë në zemrën e Europës dhe kanë një të ardhme në BE”, tha Peter Beyer.

Ndërsa deputeti i SPD, Metin Hakverdi tha se hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është edhe ne interesin e Bashkimit Evropian.

“Shqipëria ka ende një rrugë të gjatë, por duhet mbështetur. Dita e sotme historike për Shqipërinë nëse vendosim pro për negociatat”, u shpreh Hakverdi.

Artikulli paraprakSHQIPTARI VRAU BOSHNJAKUN DHE I PLAGOSI DJALIN,NUK THOTE ASNJE FJALE NE BURG
Artikulli tjetërRREFIM – SULEJMAN VEKSHARI