Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar para Kryeministrisë rreth orës 17:45 ka nisur një protestë e shoqërisë civile për të marrë në mbrojtje 25-vjeçaren Xhisiela Maloku, e cila u dhunua nga djali i deputetit të PS, Rrahman Raja.

Të pranishëm në këtë protestë janë përfaqësues të shoqërisë civile, gazetarë, qytetarë të thjeshtë dhe familjarë me fëmijë që janë mbledhur për të dënuar dhunën e pushtetit dhe meshkujve ndaj femrave, e për të kërkuar drejtësi të barabartë.

Një nga anëtaret e shoqërisë civile në nisje të protestës u bëri thirrje qytetarëve që të sabotojnë OSBE në Twitter dhe në çdo rrjet social, pasi sipas saj në një lajm të shpërndarë nga zyrat e saj, u tha se këtë protestë e ka organizuar opozita dhe jo shoqëria civile.

“Kjo protestë është organizuar nga shoqëria civile dhe të gjithë të tjerët i janë bashkuar më pas me dëshirë…. Sabotoni OSBE, sepse diplomatët nuk mund të tallen me ne, as me dinjitetin e as me kurajon tonë. Rraja ka rrahur e përdhunuar pa pësuar gjë sepse ai është i fortë. Dhe pushteti është i të fortëve, i maskarenjve… të fortët janë kudo…”, tha ajo.

Protestuesit kanë akuzuar edhe kryeministrin duke thirrur në një zë, “Rama ik”.

Ata gjithashtu kërkojnë që ligji të funksionojë për djemtë e deputetëve, pasi siç thonë politika në vend është kthyer në armikun kryesor të qytetarëve. Protestuesit shigjetojnë qeverinë dhe politikën, si mburojat që ndalin ndëshkimin e të fortëve dhe kriminelëve, teksa policia i kërkon llogari vetëm qytetarëve të pambrojtur.

“Rexhep Rraja ka bërë ato që bën çdo i fortë, Rrahman Rraja atë që bën çdo i fortë, kryeministri atë që bën çdo i fortë. Është politika që e mbrojti Rexhep Rrajën”, tha njëra nga aktivistet.
Një tjetër aktiviste tha se në Shqipëri ka shumë Xhisiela, sepse fatkeqësisht sot në vendin tonë është koha e të fortëve.

Ndërkohë në protestë marrin pjesë edhe eksponentë të opozitës, si zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa e cila tha se do t’i drejtohet një kërkesë ambasadorit të BE, Luigi Soreca që të sigurojë në një nga vendet anëtare të BE mbrojtje për Xhisielën dhe familjen e saj.

“Unë nuk mund t’i bëj thirrje për mbrojtje këtij shteti. Ça ti mbrojë ky shtet Xhisielës, kur i gjithi është i kapur. Po unë kam një thirrje për mbrojtje një ambasadori që i besoj shumë. Amabsadorit të BE, zotit Luigi Soreca.

I bëj thirrje që të sigurojë në një nga vendet anëtarë të BE mbrojte dhe siguri fizike, morale dhe psikologjike për Xhisielën, motrën dhe nënën e saj. Nëser këtë kërkesa do ta bëj zyrtare.

Mos dëgjoni asgjë që është e faslifkuar dhe që i detyrohet asaj vajze të thotë tani, dëshminë ajo e ka dhënë atëherë kur ekspertiza mjeko ligjore vërteton dhunë në trupin e saj, çdo gjë tjetër është manipulim dhe frikë”, tha Zhupa.

Artikulli paraprakDERA E OBORRIT ZË POSHTË TË MITURAT, NJËRA NGA MOTRAT NDËRRON JETE
Artikulli tjetërBANKA PADITET PËR MASHTRIM, DËMI 820 MILIONË LEKË