Dërgesat e emigrantëve kanë qenë për gati 3 dekada burimi kryesor i të ardhurave për një pjesë të madhe të familjeve shqiptare.

Sipas Bankës së Shqipërisë, emigrantët shqiptarë dërgojnë mesatarisht 600 milionë euro në vit pranë familjeve të tyre. Por, të dërgosh parà në Shqipëri nuk është e lehtë.

Një vrojtim i Bankës Botërore në vitin 2016 doli në përfundimin se, emigrantët shqiptarë paguajnë kostot më të larta në rajon për të dërguar parà pranë familjeve të tyre.

Sipas Bankës, për çdo 100 euro që dërgon në atdhe një shqiptar i cili punon jashtë, duhet të paguajë 9.4 euro si komision transferimi, kur në rajon kjo shifër është 7.2 euro.

Por, kjo është shifra mesatare. Për vende të caktuara si Zvicra, kostoja e dërgimit të parave përmes agjencive të transferimit arrin deri në 25 për qind e shumës së dërguar.

Ndërsa për shqiptarët që dërgojnë para nga Gjermania dhe Britania e Madhe, tarifa luhatet midis 9.5 dhe 10%. Këto janë tarifat që aplikojnë agjencitë e transferimit të parave, ndërsa transfertat përmes bankave janë edhe më të shtrenjta.

Kostot e larta të dërgimit të parave përmes rrugëve zyrtare detyrojnë një pjesë të madhe të emigrantëve që të përdorin kanalet informale.

Sipas Bankës Botërore, mbi 37% e flukseve të remitancave kanalizohen nëpërmjet rrugëve informale, 57% dërgohen përmes Operatorë të Transferimit të Parave dhe vetëm 4% nëpërmjet bankave.

Banka Botërore thotë se Shqipëria ka përdorimin më të ulët të bankave për dërgimin e parave në rajon, jo vetëm për shkak të kostove të larta, por edhe procedurave komplekse, duke bërë që shumë emigrantë të gjejnë rrugë të tjera për të transferuar parà te familjet.