Një raport i fundit i Organizatës Ndërkombëtare të Punës, ILO, thekson se femrat shqiptare kryejnë 314 minuta në ditë punë të papaguar, nga të cilat 270 minuta janë punë shtëpiake. Kjo bën që shqiptaret të jenë në vendin e 5-të në botë ndër sa i përket punës së papaguar.

270 minuta dedikuar vetëm për punët e shtëpisë përkthehen në plot 4 orë e gjysëm në ditë.

Duke parë listën rezulton se, vendet e lindjes dhe sidomos vendet muslimane janë ato që zënë vendet e para të renditjes në këtë drejtim. Situata përmbyset tërësisht kur bëhet fjalë për burrat.

Këta të fundit shpenzojnë më pak se 1 orë në ditë për punën të papaguar, dhe nga këto vetëm 45 minuta në ditë për punë shtëpiake.

Siç duket qartë edhe nga ilustrimi grafik i Organizatës së Punës, kjo gjë e vendos Shqipërinë ndër vendet e fundit në listë sa i përket dembelizmit të burrave shqiptarë në drejtim të punëve të shtëpisë.

Me rajonin ndërkohë nuk ka krahasim, femrat janë ato që i dedikojnë më shumë kohë punëve të shtëpisë dhe meshkujt ata që i dedikojnë më pak kohë.

Femrat shqiptare bëjnë pune shtëpie 6 herë më shumë se meshkujt në kohëzgjatje, dhe një diferencë të tillë nuk e ka asnjë vend i botës.

Puna e papaguar në Shqipëri sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës përkthehet në 8.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit të shprehur në fuqi blerëse, dhe nga këto, 7.2% i takojnë femrave. Gjithsesi, kjo është ndër përqindjet më të ulta në nivel global.

LAJMET E FUNDIT NE KOHE REALE