Gjashtë muaj pas rikthimit me pranga në duar në Tiranë, Izet Haxhia kallëzon penalisht ish-kryeministrin Sali Berisha në Prokurorinë e Përgjithshme, për 23 krime të rënda, të kryera sipas tij, gjatë pushtetit të parë 1992-1997.

Kallëzimi penal vjen si finalizim i një sage akuzash tepër të rënda, që ish-truproja i Sali Berishës ka artikuluar në adresë të këtij të fundit, gjatë viteve 2016, 2017 dhe gjashtëmujorit të parë të 2018.

Kallëzimi që do të shkojë në zyrën e Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku, bëhet në cilësinë e njeriut më të afërt të Sali Berishës gjatë viteve 1992-1997, për rrjedhojë edhe dëshmitar kyç i disa ngjarjeve, të cilat kanë shënjuar pluralizmin shqiptar.

Izet Haxhia është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Azem Hajdarit. Pas 20 vitesh në arrati, ai u rikthye në Tiranë, ndërsa ndodhet në burgun 302 që në fillim të muajit maji të këtij viti.

“Ky kallëzim kryhet në këtë moment, jo për të lehtësuar pozitën time juridike në procesin gjyqësor penal që kam aktualisht, por përkundrazi këmbëngul jo thjesht në procedurë për këtë rast, por për detyrimin të dalë në dritë e vërteta mbi veprimtarinë e një personi, mbi të cilën rëndojnë një sërë krimesh.

E ndjej obligim ndaj vendit dhe popullit tim të ushtroj këtë kallëzim penal kundër dhe për personin që e besova, e respektova deri në vetmohim dhe më në fund pësova edhe zhgënjimin më të madh të jetës.

Jam në çastin e duhur të kryej këtë detyrë edhe nëse “zinxhirët” e procedurave nuk e pranojnë këtë kallëzim, përderisa vazhdoj të mbijetoj jam në kohë të them të vërtetën lidhur me krimet e atij që i vuri zjarrin Shqipërisë”, thuhet në padi.

Akuzat
Izet Haxhia pretendon se Sali Berisha e ka urdhëruar për të bombarduar Ambasadën Amerikane në Tiranë, pas mosmarrëveshjeve që kishte Berisha në fund të pushtetit të parë. Por, Izeti pretendon se nuk ka pranuar që ta zbatojë këtë urdhër.

Ish-truproja i Berishës akuzon gjithashtu këtë të fundit në organin qëndron të akuzës për eliminim e Azem Hajdarit dhe më pas organizimin e grushtit të shtetit të 14 shtatorit 1998, për marrjen e pushtetit me dhunë.

Gjithashtu Haxhia akuzon Berishën për vrasjen dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, përmes SHIK-ut nën drejtimin e Bashkim Gazidedes.

Në padi Haxhia pretendon se ish-kryeministri është përgjegjës edhe për firmat piramidale, për hapjen e depove të armëve si dhe ka urdhëruar bombardimin e jugut të vendit.

Sipas Haxhisë, Berisha kishte planifikuar edhe vrasjen e Skënder Gjinushit, të Zabit Brokajt, të Arben Imamit dhe Shaban Memisë. Haxhia thotë se Berisha ka paguar edhe 1,000,000 euro për ta eliminuar atë në mërgim.

Gati të dëshmojë
Ish-truproja i Sali Berishës, Izet Haxhia pohon se është i gatshëm që të dëshmojë, të japë detaje dhe fakte, për të gjitha akuzat e pretenduara prej tij kundër Berishës.

“Për të gjitha këto sa më sipër kërkoj, dhe të tjera që në kohën dhe në vendin e duhur do të shtoj, jam gati të jap detaje, prova dhe fakte të pa kontestueshme, për t’u vënë përpara përgjegjësisë penale më në fund arkitekti i vendosjes së krimit,kaosit, anarkist, korrupsionit dhe shitësit të interesave kombëtare.

Me besimin se nuk ka krim pa ndëshkim. Sali Berisha duhet të dalë para bankës së të akuzuarve. Kam bindjen se vetëm pas kësaj secili nga ne do të shikonte praktikisht se ligji është i barabartë për të gjithë.

Në librin tim, Izet Haxhia përballë Sali Berishës, janë dokumentuar përgjithësisht fakte dhe prova në lidhje me pretendimet e mia, që përfshijnë objektin e këtij kallëzimi penal”, thotë Haxhia.

Artikulli paraprakKREU I KLSH, SHUMICA SHTYN DEKRETIN E METËS PËR VITIN 2019
Artikulli tjetërSHQIPTARËT, POPULLI QË DISKRIMINON MË SHUMË TË VARFRIT