Kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi, sot formalisht ka shpallur fitore kundër grupit ekstremsit, Shteti Islamik (IS), gjatë fjalimit në televizionin shtetëror, duke e shënuar kështu disfatën më të madhe të IS-it, prej shpalljes së kalifatit para tri vitesh.

“Shpalli prej këtu përfundimin dhe dështimin dhe shkatërrimin e shtetit terrorist, të cilin Daesh e ka shpallur nga Mosuli”, tha al-Abadi duke e përdorë termin arab për Shtetin Islamik. Disa orë më parë, gazetarët kishin parë luftime të ashpra që ende vazhdonin në qytet. Nuk është menjëherë e qartë nëse përleshjet kanë përfunduar.

Kryeministri al-Abadi dje e ka vizituar Mosulin për t’i uruar ushtarët, megjithqë luftimet zhvilloheshin në afërsi. Në vitin 2014, Mosuli ishte okupuar nga IS-i, derisa luftëarët e këtij grupi ekstremist kishin marrë territore të gjëra në pjesën veriperëndimore të Irakut dhe e shpallën kalifatin në territorin nën kontrollin e tyre për Irak dhe Siri.

Forcat irakiane, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, në tetor të vitit të kaluar e lansuan një operacion madhor për rimarrjen e Mosulit, që është qyteti i dytë për nga madhësia në Irak, pas kryeqytetit Bagdad. Kombet e Bashkuara thonë se 920 mijë civilë janë larguar nga shtëpitë e tyre prej se ka filluar fushata ushtarake në tetor. Afro 700 mijë njerëz ende janë të zhvendosur.

Artikulli paraprakRRETH 255 NJERËZ U ARRATISËN NGA ZJARRI NË LONDËR, TË TJERËT KANË HUMBUR
Artikulli tjetërHARADINAJ I BINDUR: PAN I KA NUMRAT PËR QEVERINË