Kuvendi nuk ka shpallur vakancat në dokumentacionin që i ka dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kur e njoftoi atë mbi dorëheqjet nga mandati të 56 deputetëve të opozitës.

Deri më sot Kuvendi ka ndjekur gjithmonë praktikën e njoftimit të dorëheqjes dhe shpalljes së vakancës, por kjo ka ndryshuar në këtë rast të fundit.

Në precedentët e dorëheqjeve të deputetëve, shkresa e Kuvendit drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përmbante 3 elementë:

– Njoftimin se deputeti ka hequr dorë nga mandati
– Shpalljen e përfundimit të mandatit të deputetit të dorëhequr
– Njoftimin e krijimit të vakancës dhe kërkesën për zëvendësimin e deputetit.

Burime të kryqëzuara, si nga Kuvendi ashtu edhe nga KQZ, konfirmuan se kerkesat e dërguara në rastin e 56 deputetëve opozitarë të dorëhequr ndryshojnë në formulim dhe përmbajtje.

I vetmi element i përbashkët është njoftimi i se deputeti ka hequr dorë nga mandati.

Më pas shkresat theksojnë se dokumentacioni përkatës po i përcillet për kompetencë KQZ-së. Në këtë formulim të ndryshëm mungojnë dy elementë thelbësorë, shpallja e përfundimit të mandatit dhe njoftimi i krijimit të vakancës.

Neni 164 Pika 1 e Kodit Zgjedhor nënvizon shprehimisht se është pikërisht Kuvendi që duhet të njoftojë KQZ-në për krijimin e vakancës.

Në mungesë të këtij akti, mbetet për t’u parë nëse KQZ do të rikthejë përsëri topin në zyrat e Kuvendit, gjë që do të vonojë në kohë zëvendësimin e deputetëve të dorëhequr.

Artikulli paraprakARRESTOHEN 3 SHQIPTARË,KAPEN ME KOKAINË DHE MARIJUANA
Artikulli tjetërPO RREGULLONTE DEFEKTIN, BIE NË KONTAKT ME KORRENTIN, VDES ELEKTRICISTI NË FIERZË