Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett ka njoftuar se sot është ekstraduar një person të arratisur nga Kosova për gjykim në SHBA.

Kosnett përmes Twitterit ka shkruar se sot është zbatuar për herë të parë Marrëveshjen për Ekstradim i nënshkruar në qershor me Kosovës dhe SHBA-së.

“Në qershor, SHBA-ja dhe Kosova përfunduan Marrëveshjen për ekstradim. Sot e zbatuam atë për herë të parë për të kthyer një të arratisur nga Kosova në gjykim në SHBA. Kur e bëjmë sundimin e ligjit një prioritet të përbashkët, kriminelët përballen me drejtësinë dhe të dy shtetet janë të sigurta”, ka shkruar Kosnett në Twitter.

Më 13 qershor të këtij vitit Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe zëvendës ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, kanë nënshkruar protokollin e instrumenteve të Ratifikimit të Marrëveshjes së Ekstradimit mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndërkohë, gazeta Blic shkruan se ekstraduari është Imer Shahini, të cilin, Shtetet e Bashkuara e kanë kërkuar për një kohë të gjatë. Burime të Gazeta Blic, brenda Aeroportit të Prishtinës, bëjnë të ditur se Shahini është ekstraduar në SHBA në orët e para të mëngjesit të sotëm, përmes Aeroportit të Prishtinës.

13 ditë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për ekstradimin e Imer Shahinit, i cili dyshohet nga Shteti Amerikan për mashtrim me miliona dollarë.

Shahini njihet edhe si mik i nënkryetarit të PDK-së, një herazi ish ministër i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.