Një biznesmen 41-vjeçar është proceduar penalisht nga Policia e Tiranës, pasi kishte bërë kallëzim të rremë për pengmarrje.

Burime nga Policia thanë se Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës, ka nisur procedim penal në gjendje të lirë për shtetasin Alkedo K., baba i dy fëmijëve, me akuzën e kallëzimit të rremë.

Të njëjtat burime thanë se 41-vjeçari, i cili është pronar i disa subjekteve lojërash fati e bastesh sportive, ka inskenuar pengmarrjen për shkak të borxheve të shumta që kishte.

Mësohet se ai ka bërë kallëzim rreth një javë më parë, duke pretenduar se e kishin rrëmbyer duke e mbajtur peng për disa orë.

Ndërsa ditën e diel, pas hetimeve ka rezultuar se 41-vjeçari nuk ishte marrë peng nga askush, por gjithçka e kishte sajuar vetë.

Më pas ai ka pranuar se e kishte inskenuar rrëmbimin, për t’iu shmangur disa shtetasve, të cilëve u kishte marrë borxhe në euro dhe në lekë.

Në njoftomin e policisë thuhet se: “Në vijim të komunikatës që bën fjalë për veprën penale ‘Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit’, më datë 13.05.2018, u gjet dhe u referuan materialet në Prokurorinë e Tiranës për shtetasin Alkedo K., 41 vjeç,

banues në rrugën ‘Mihal Grameno’, në Tiranë, i cili ka inskenuar gjithçka për t’iu shmangur shtetasve, të cilëve u kishte marrë borxhe në euro dhe lekë”.

Artikulli paraprakNGACMOI SEKSUALISHT TË MITURËN, GJYKATA E LË NË BURG MËSUESIN
Artikulli tjetërZBULOHET KANABIS I MBJELLË NË VAZO,PRANGOSET AUTORI