Ministria e Brendshme e Maqedonisë ka bërë të ditur se rrebeshi masiv i mesnatës së të dielës, si dhe përmbytjet e shkaktuara prej shiut, ka lënë të paktën 15 persona të vdekur, 6 të tjerë të zhdukur, ndërkohë që 22 persona janë dërguar në spital për të marrë ndihmë pasi janë plagosur.

Zëdhënësja e policisë, Natalija Spirova Kordikj dha numrin e viktimave teksa foli për “Associated Press” mesditën e kësaj të diele, duke thënë se reshjet e dendura të shiut, erërat e forta dhe shtrëngata goditën kryeqytetin maqedonas dhe rajonet periferike të tij, veçanërisht ato veriore. Shirat nisën që mbrëmjen vonë të së shtunës, ndërsa zëdhënësja e policisë nuk ka dhënë specifikime mbi mënyrën sesi kanë mbetur të vdekur personat e konfirmuar. Forca speciale të policisë, njësi ushtarake dhe zjarrfikësa janë parë të dërgohen nëpër zonat më të goditura të veriut të Shkupit, konkretisht në fshatrat Stajkovci, Aracinovo dhe Smiljkovci. Qindra shtëpi dhe automjete janë shkatërruar nga përmbytjet. Rrugët janë bërë të pakalueshme, ndërsa disa zona kanë mbetur pa energji elektrike. Kryebashkiaku i Shkupit, Koce Trajanovski e përshkroi situatën si “më të keqen e përjetuar ndonjëherë” nga kryeqyteti maqedonas. Ndërkohë, edhe më në veri, në Kroaci, erërat e stuhishme kanë bllokuar rrugë dhe kanë shtuar trafikun në pikun e sezonit turistik. Agjencia shtetërore e lajmeve “HINA” thotë se pjesë të autostradës kryesore që lidh kryeqytetin Zagreb me brigjet e Adriatikut kanë qenë të mbyllura gjatë së dielës. Automjetet e ulëta janë lejuar vetëm nëpër seksionet e poshtme të autostradës, si dhe nëpër rrugët rajonale në veri, pranë qytetit portual të Rijekës

Artikulli paraprakTRUMP BËN “PAQE” ME REPUBLIKANËT, MBËSHTET PAUL RYAN DHE JOHN MCCAIN
Artikulli tjetër50 FAMILJE NË ISH-KONVIKTIN E DJEMËVE BASHKËJETOJNË ME UJËRAT E ZEZA