Muze me armët e ushtrisë shqiptare

Armë që datojnë nga viti 1400, por edhe mjete tokësore e ajrore të Forcave të Armatosura ndër vite, janë ekspozuar në pritje të vizitorëve në ambientet e ish-Shkollës së Bashkuar, sot Ministria e Mbrojtjes. Përgjegjësi Asllan Zemani shpjegon se, Muzeu i Forcave të Armatosura është konceptuar në dy periudha: e para që daton nga viti 1400 deri në 1900-n, ndërsa e dyta nga viti 1940 deri në 1990-n. Për shkak të shumëllojshmërisë së armëve, municioneve, pajisjeve, mjeteve motorike dhe çdolloj pajisjeje tjetër që është përdorur nga ushtria, ky muze është konceptuar me dy ambiente. “Muzeu është i përbërë nga dy pjesë, ai i brendshëm dhe ai i jashtëm. Në këtë të fundit janë vendosur armatime të ndryshme, duke përfshirë helikopterët, armatimet e rënda, topa të kalibrave të ndryshëm, të cilat janë përdorur në periudha të ndryshme nga ushtria shqiptare”, thotë Asllan Zemani, përgjegjësi i muzeut. Për festat e shpalljes së Pavarësisë dhe Çlirimit, më 28 dhe 29 nëntor, për herë të parë ky muze do të jetë i hapur për këdo që do ta vizitojë. “Më 28-29 nëntor muzeu është i hapur duke filluar nga ora 9 e mëngjesit e deri në orën 14, sikurse dhe pasdite. Ai mirëpret vizitorë të ndryshëm dhe të shumëllojshëm, pavarësisht nga mosha apo profesioni”, shtoi më tej Asllan Zemani.

Artikulli paraprakI KERKUARI PER TENTATIVE VRASJEJE QELLON NE DREJTIM TE POLICISE
Artikulli tjetërIMAMI SHQIPTAR PREDIKONTE EKSTREMIZMIN FETAR NE BURGJE