Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, shkarkoi të hënën kryeprokuroren e antikorrupsionit, Laura Codruta Kovesi, në zbatim të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Zonja Kovesi tha se vendimi mund t’i lërë prokurorët të zbuluar ndaj ndërhyrjeve politike.

Ajo ka qenë në krye të agjencisë anti-korrupsion që nga viti 2013 dhe nën drejtimin e saj, numri i dënimeve është rritur ndjeshëm në njërin prej vendeve më të korruptuara të Bashkimit Evropian, duke marrë përgëzime nga Brukseli, i cili e ka gjyqësorin rumun nën vëzhgim të posaçëm.

Duke reaguar për vendimin, zonja Kovesi fajësoi politikanët në pushtet se përpiqen të bllokojnë funksionimin e gjyqësorit, duke zbutur ligjet për krimin në parlament, për t’u mbrojtur nga ndjekjet penale.

Vitet e fundit, prokurorët kanë siguruar një varg dënimesh kundër deputetëve, ministrave dhe kryebashkiakëve, nën akuzat për konflikte interesi, shpërdorim pushteti, mashtrime dhe dhënie kontratash shtetërore në shkëmbim të ryshfetit.

Që kur Social Demokratët fituan zgjedhjet e dhjetorit 2016, partia ka nxitur qetësimin e luftës kundër korrupsionit që ka çuar në burg disa nga politikanët.

Kjo shtysë, nga ana tjetër, ka shkaktuar protesta të shumta në rrugë.

Shumë nga mbështetësit e Kovesit e kritikuan Iohannisin në rrjetet sociale të hënën, duke e akuzuar atë se i ishte dorëzuar shumë lehtë partisë në pushtet.

Kovesi ndërkohë u largua nga Drejtoria Anti-Kurrupsion të hënën mes duartrokitjesh nga prokurorët e tjerë.

Ajo u tha gazetarëve në një konferencë për shtyp se do të mbetet prokurore, edhe pse jo në Drejtori.

“Episodi i sotëm nuk është një mposhtje,” tha Kovesi në konferencën për shtyp. “Korrupsioni mund të mposhtet,” shtoi ajo.

“Është e zakonshme të vërehet se vullneti politik është të bllokojë drejtësinë dhe hetimet,” tha ajo.

“DNA-ja ka dëshmuar se të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe askush nuk është aq i fuqishëm sa të mund t’i shpëtojë ligjit.”

Drejtoria Anti-Korrupsion do të drejtohet përkohësisht nga zv/kryeprokurori Marius Iacob.

Artikulli paraprakAKUZAT PËR DOPING, REAGON MJEKU I KOMBËTARES RUSE
Artikulli tjetërJORGE SAMPAOLI NUK DORËZOHET, ARGJENTINA E KONFIRMON NË PANKINË