Një muaj më parë pa vdekjen me sy, ndërkohë që tashmë është gati për tu rikthyer në fushën e lojës.

Aldo Teqja ka befasuar të gjithë te Partizani, me portierin që ka vizituar skuadrën e kuqe në prag të ndeshjes me Flamurtarin.

Lajmi është konfirmuar nga faqja zyrtare e klubit kryeqytetas, që zbulon se Teqja ka takuar nga afër shokët e skuadrës, për të ndjekur më pas stërvitjen për takimin e fundjavës ndaj vlonjatëve.

“Skuadra ka rifilluar sot përgatitjet për takimin e radhës ndaj Flamurtarit, i vlefshëm për javën e 12 të Kategorisë Superiore.

Seanca e sotme është zhvilluar në orën 10:00 në Kompleksin Sportiv “Internacional Tirana” në Pezë. Trajneri Lerda dhe stafi kanë vijuar normalisht programin stërvitor.

Një surprizë e këndshme për lojtarët dhe stafin përgjatë seancës së sotme ishte edhe prezenca e portieri Aldo Teqja, i cili ka ndjekur nga afër përgatitjet dhe pritet që shumë shpejt t’i bashkohet kampionëve në ditët në vijim.

Përgatitjet do të vijojnë të martën sërish në Kompleksin Sportiv “Internacional Tirana” në Pezë,” thuhet në njoftimin e klubit të Partizanit.

Portieri i Partizanit, Aldo Teqja u rrëzua nga ballkoni i shtëpisë së tij, duke rënë nga kati i gjashtë i pallatit. Teqja mori plagë të shumta në trup, ku iu desh të merrte ndihmë më të specializuar në spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.

Artikulli paraprakSHKATËRROHET BANDA E SHQIPTARËVE NË ITALI
Artikulli tjetërMETA VLERËSON ISH SPORTISTET, PA SAKRIFICË DHE PASION, NUK KA SUKSES