Tre grupe kriminale shqiptare kishin mundur të aktivizonin “një rrugë europiane droge” që kalonte nga Holanda në Gjermani e Itali.

Gjatë një viti me anë të në pike shitje automjetesh e një flote makinash superluksoze të modifikuara në mënyrë të sofistikuar kishin mundur të trafikonin rreth 130 kg kokainë.
Gjatë hetimeve është zbardhur dhe pengmarrja e një anëtari të bandës, i cili kishte “tradhëtuar” aktivitetin e tyre.

 

Operacioni, 56 te arrestuar – 90 trupa të antidrogës italiane ekzekutuan mëngjesin e sotëm (22 nentor) operacionin e koduar “B.O.C.A akronimi fjalëve Breshia Operacion Kriminaliteti Shqiptar.

Operacioni u krye nga reparti investigativ anti kriminit të organizuar të Breshës në bashkëpunim me komandën qendrore në Romë. Në pranga janë vënë 56 persona, anëtarë të 3 organizatave kriminale shqiptare që vepronin në Europë me aktivitet trafikun e kokainës.

Operacioni B.O.C.A u realizua në bashkëpunim me forcat policore të Shqipërisë, Greqisë, Belgjikës e Gjermanisë.

Hetimet zbardhën se përmes degëzimeve të tyre në Europë, këto 3 grupe trafikantësh shqiptarë kishin ngritur një “rrugë europiane të trafikut të kokainës” që kalonte nga Holanda në Gjermani e në Itali.

Këto grupe kriminale kishin në zotërim një pikë shitje makinash e një flotë të vërtetë automjetesh të përdorura për trafikimin e kokainës.

Të gjitha automjetet të cilat janë sekuestruar nga policia italiane ishin mjaft luksoze e të shtrenjta si dhe të modifikuar nga një inxhinieri e sofistikuar me funde të dyfishta për fshehjen e drogës.

Hetuesit italianë zbardhën se si ndezja e ajrit të kondicionuar në makinë, futja e retromarshit, butoni anti-diell etj, çonte në funksonimin e mekanizmave të hapje-mbylljes së fundeve të dyfishta të përdorura për fshehjen e drogës.

Hetimet çuan në arrestimin në flagrancë të 24 trafikantëve, ndërsa për 32 persona të tjerë u ekzekutua gjatë ditës së sotme urdhërarresti.

Sekuestrohen 130 kg kokaine- U sekuestruan 130 kg kokainë, disa armë zjarri, pasuri të patundshme e të mira materiale në vlerë mbi 1 milionë euro si dhe një pikë shitje automjetesh me mjaft makina.

Sekeustrimet e drogës janë kryer në krahinat e Breshës, Modenas, Bergamo, Monza, Macerata, Pavia, Lucca e Hollanda.

Sipas hetuesve italianë rrezikshmëria e këtyre grupeve kriminale ishte mjaft e lartë. Ata mundën të zbardhin pengmarrjen që kishin kryer ndaj një anëtari të grupit që kishte tradhëtuar duke i grabitur e përvetësuar një sasi droge në tentativën për ta shitur në mënyrë autonome.

Policia italiane e ndihmuar nga policia hollandeze e Utrechtit dhe ajo gjermane e Frankfurtit mundi të identifikoj vendodhjen e personit që mbahej peng duke arrestuar përgjegjësit.