Menjëherë pas largimit të Vilson Masmalaj si drejtor rajonal i spitalit në Shkodër kanë nisur të përmenden emrat e parë të mundshëm që mund të marrin drejtimin e atij institucioni të rëndësishëm.

Masmalaj pas 7 muajsh në atë detyrë u largua me kërkesë të ministres së shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Në këtë mënyrë fillimisht në krye të spitalit është komanduar Teuta Rrjolli, mjekja e njohur që deri më tani ishtë zëvendës drejtore në atë institucion.

Rrjolli mund të qëndrojë deri në fund të muajit gusht dhe në ditët e para të shtatorit mund të kemi emrin e ri. Në këtë mënyrë kanë nisur të vihen në diskutim emrat të cilët mund të jenë drejtorë në spitalin e Shkodrës.

Kështu sipas burimeve një prej emrave më të mundshëm është ai i Senad Hallunit. Ky i fundit ishte kandidat në konkursin që u zhvilluar për të marrë atë post por Vilson Masmalaj mori më shumë pikë.

Tashmë pas largimit të këtij të fundit Halluni ka një tjetër mundësi për të qenë drejtor i spitalit të Shkodrës. Ende është e paqartë nëse do të ketë sërish konkurs për drejtorin e ri apo këtë herë do të emërohet nga ministrja Manastirliu.

Sido që të jetë Halluni mbetet një kandidat potencial për të qenë në krye të atij institucioni. Megjithatë nuk është i vetëm. Burime pranë Partisë Socialiste të Shkodrës por edhe spitalit rajonal bëjnë me dije se Sokol Jubica shihet si një tjetër emër i mundshëm.

Jubica para pak kohësh kaloi me PS nga LSI ndërsa është edhe pjesë e spitalit si stomatolog.

Përveç këtyre dy emrave nuk përjashtohen mundësitë që drejtori i ri i spitalit të vijë sërish nga jashtë si në rastin e Masmalaj ose të jetë një tjetër emër nga radhët e mjekëve të njohur që ka ai institucion. Gjithsesi deri në shtator ka ende kohë.

 

Artikulli paraprak“DALJA NË SHOSH”, AKTIVITET PËR PROMOVIMIN E VLERAVE
Artikulli tjetërNDRYSHON MËNYRA E KOMISIONIMIT TË KEMPEVE