10 vjet burg dhe njohje e borxheve në disa miliona euro ndaj biznesmenëve që dyshohet se ka mashtruar.

Ky ishte vendimi i gjykatës së Durrësit për stomatologen Olesia Duka, e cila përmes një skeme mashrimi u ka marrë para në shumë të mëdha të paktën 14 personave.

Gjykata e Durrësit ka pranuar kërkesën e prokurorisë, duke dënuar me 15 vjet burg stomatologen Olesia Duka, e cila akuzohet se ka mashtruar të paktën 14 persona me shuma të mëdha parash.

Duke qenë se Duka ka përfituar nga gjykimi i shkurtuar, dënimi i saj ulet automatikisht me një të tretën dhe në përfundim për të është vendosur dënimi me 10 vjet burg.

Gjykata njohu edhe borxhet që stomatologia ju ka marrë biznesmenëve përmes mashtrimit që e zhvilloi për disa vite me radhë dhe e shtriu në qytete të ndryshme.

Sipas të dhënave nga sektori i pastrimit të parave në drejtorinë e krimit ekonomik rezulton se 38 vjeçarja ka mashtruar disa persona në Tiranë, Durrës, duke përfituar një vlerë jo më 900 mijë euro siç u deklarua një ditë më parë, por rreth 2 milionë euro.

Në shkurt të këtij viti asaj iu vendosën në sekuestro preventive katër apartamente në Tiranë e Durrës, si dhe një klinikë dentare në Tiranë.

Sipas policisë procedimi penal proaktiv është ndjekur në harkun kohor të 2-3 muajve, duke zbardhur mekanizmin e mashtrimit dhe përpjekjet për t’i shpëtuar hetimit e fshehur pasuritë që dyshohet se janë vënë nga veprimtaria kriminale.

Si nisi skema e mashtrimit?!
Fillimisht denoncimi i parë kundrejt stomatologes që deri në ato momente kishte një reputacion dhe njohje në të gjithë vendin është bërë nga një durrsak që merrej me këmbimin valutor në qytetin bregdetar.

Sipas prokurorisë, kallëzuesi, i cili është pronar i një zyre këmbimi valutor dhe agjencie udhëtimi, është njohur me stomatologen në nëntor të vitit 2016.

Prokuroria thotë se 38-vjeçarja i ka kërkuar fillimisht një shumë të vogël për të blerë pajisje dentare, duke u treguar korrekte në fillim në kthimin në kohë të shumave të marra.

Por, siç thotë prokuroria, stomatologia ka kërkuar më shumë para, duke shtyrë muaj pas muaji afatin e kthimit.

Në fund, sipas prokurorisë, me këtë skemë, biznesmenit i është shkaktuar në total një dëm prej 900 mijë eurosh. Por durrsaku nuk ishte bizesmeni i vetmi që ra në rrjetën e stomatologes mashtruese.

Të njëjtin fat e kanë pasur edhe të paktën 13 individë e biznesmenë të tjerë sipas hetimeve të prokurorisë, me një total prej mbi 2 milion eurosh.

Ajo i merrete paratë duke u premtuar huadhënësve përqindje të larta, dhe për këtë në disa raste ka bërë edhe kontrata noteriale apo thjeshtë me shkrim dore.

Duka prezantohej si biznesmene suksesshme dhe me lidhje të forta, ndërsa shfaqej duke sponzorizuar aktivitete bamirësie për fëmijët në nevojë.

Si garanci ajo paraqiste disa biznese stomatologjie që zotëronte, të cilat u sekuestruan bashkë edhe me disa apartamente