Një Angli e madhe fiton në shtëpinë e Spanjës në ndeshjen e tretë të grupit A4 të Ligës së Kombeve. Në Sevilla në stadiumin ”Benito Villamarin” dueli ka përfunduar 3-2 për “Tre luanët” që kanë blinduar tre pikët falë një pjesë të parë fantastike ku shënuan të tre golat.

Në minutën e 16 shënoi Sterling që rikthehej tek goli në Kombëtare pas 3 vitesh dhe më pas dyfishoi shifrat sulmuesi i United Marcus Rashford dhe në minutën e 38-të ishte sërish Sterling që realizoi golin e dytë personal dhe të tretin për Anglinë.

Në fraksionin e dytë shpresat e iberikëve i zgjoi Alkaser në të 58-tën por goli tjetër erdhi shumë vonë në kohën shtesë me kapitenin Sergio Ramos dhe Spanja pëson humbjen e parë nën drejitmin e Luis Enriques.

Tekniku iberik pranon se skuadra e tij bëri një pjesë të parë të shëmtuar: ”Në fundin e pjesës së parë mund t’i kisha vrarë futbollistët e mi, pjesa e dytë ishte më e mirë. Është një humbje e rëndë që duhet ta pranojmë”.

Ndërsa krenar për djemtë e tij është Gareth Southgate: ”Kemi bërë një ndeshje të pjekur me futbollistë të rinj dhe jam shumë krenar me paraqitjen tonë”, e mbyll Southgate.

Grupin A4 të Ligës së Kombeve e kryeson Spanja me 6 pikë e ndjekur nga Anglia me 4 dhe Kroacia vetëm 1.

Në grupin A2 Zvicra fitoi ndaj Islandës 2-1 në transfertë dhe barazon me 6 pikë Belgjikën në krye të grupit por ka një ndeshje më shumë se “djajtë e kuq”.

Golat për helvetët u shënuan në minutat 52 dhe 67-të nga Haris Seferoviç dhe Lang ndërsa golin e vetëm për Islandën e shënoi Finbogason