Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri Luigi Soreca nga Fieri ku mori pjesë në një aktivitet ka folur për aktualitetin politik, vrasjen e ekstremistit grek, por edhe dorëheqjen e Fatmir Xhafajt nga posti i Ministrit të Brendshëm.

Duke u ndalur te ngjarja në Bularat, ai kërkoi mbrojtjen e pakicave minoritare, ndërsa theksoi se dy vendet duhet të arrijnë një marrëveshje për rrugëtimin e Shqipërisë në BE, referuar negociatave për dosjet e vjetra, mes tyre kufiri detar.

Marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Greqisë është natyrisht çështje dypalëshe. Është me rëndësi për ne si BE, që Greqia dhe Shqipëria të gjejnë një marrëveshje për rrugëtimin e Shqipërisë në BE. Është e rëndësishme që pakicat në Shqipëri të mbrohen.

Ai vlerësoi punën e Fatmir Xhafajt në krye të Ministrisë së Brendshme, ndërsa tha se mbështetja e BE-së për Shqipërinë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit do të vijojë.
Gjatë muajve të fundit Ministria e Brendshme ka marrë disa aksione të rëndësishme dhe në krye ka qenë ministri Xhafaj.

Ndaj vlerësimi unë për ministrin është mjaft i qartë. Ne shpresojmë që ministri i ri do të vijojë luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Ne presim që kjo gjë të ndodhë. Ata që do të luftojnë krimin dhe korrupsionin do të kenë në krah BE-në.

Shefi i delegacionit të BE-së në fund të prononcimit kërkoi bashkëpunim mes shumicës dhe opozitës për të arritur rezultatet e kërkuara nga BE-ja për hapjen e negociatave.
Unë do të vijoj punën time dhe si në të shkuarën që kam bërë për liberalizimin e vizave.

Nuk kam për ta harruar kurrë datën 15 dhjetor 2010 kur shqiptarët udhëtuan pa viza në BE. Këto janë ato rezultate që BE kërkon që të ketë Shqipëria. Të gjitha palët, duhet të punojnë të tejkalojnë vështirësitë, të ketë bashkëpunim ndërpartiak që Shqipëria të arrijë ato gjëra që dëshiron.

Vitin që vjen do të ketë një vendim të rëndësishëm për vendin. Vetëm me dialog qeveri-opozitë do të jetë i mundur që të bëhet procesi i reformave.

 

Artikulli paraprakFATURIMI I BIZNESEVE, BASHA: TENDER KORRUPTIV
Artikulli tjetërVRASJA E EKSTREMISTIT GREK, KRIMET E RËNDA LËNË JASHTË HETIMEVE GREQINË: JANË TË MIRËPRITUR SI VËZHGUES