Hetuesia franceze dhe bashkëpunëtorët e tyre po punojnë intensivisht për zbardhjen e sulmeve të rënda që tronditën Parisin mbrëmjen e së premtes dhe që lanë të vdekur të paktën 130 persona.

Tre nga 8 terroristët e grupit që shkaktoi tragjedinë e Parisit, ishin shtetas francezë, madje sikurse raporton agjencia franceze e lajmeve të tre ata ishin vëllezër. 7 terroristë vdiqën, e ndërsa i teti është në kërkim. Por pa specifikuar lidhjen e tij me terrorin e Parisit, Policia Franceze ka nxjerrë në kërkim Abdeslam Salah, si të dyshuar për ngjarjen, duke publikuar edhe një foto të tij. Ai përshkruhet në foton e publikuar si një njeri me rrezikshmëri të lartë. Ndërsa i bëhet thirrje të gjithë personave që kanë informacion të kontaktojnë menjëherë policinë. Ndërkaq vetëm njëri nga pjesëtarët e Shtetit Islamik është identifikuar nga hetuesia. Omar Ismail Mestefai , ishte 29-vjeçari që realizoi skemën e vrasjeve masive në sallën e koncerteve “Bataclan”, ku 89 persona humbën jetën. Mes viktimave të tjerë, u gjetën edhe trupat e pajetë të xhihadistëve të shtrirë pranë njëri-tjetrit. Atentatorët u vetëhodhën në erë, pasi mbanin veshur jelekë të mbushur me bomba.