Duke folur për mediat në Dover të Britanisë, zoti Sunak tha se numri i emigrantëve që përpiqen të kalojnë kanalin e La Manshit me varka të vogla ka rënë me 20 për qind që kur qeveria e tij propozoi projektligjin për frenimin e migracionit të paligjshëm.

Sunak tha se pas marrëveshjes me qeverinë shqiptare për të ndaluar migracionin e paligjshëm, në gjashtë muajt e fundit, është bërë i mundur kthimi i 1800 emigrantëve shqiptarë, ndërsa numri i atyre që përpiqen të hyjnë me anije në Britani ka rënë në mënyrë drastike.

Britania është përpjekur prej një kohe të gjatë për të frenuar emigracionin e paligjshëm, por zoti Sunak është i prirur të tregojë se plani i tij për të arritur marrëveshje me vendet e tjera evropiane për uljen e numrin të emigrantëve dhe ashpërsimi i masave të qeverisë së tij ndaj kësaj dukurie, mund të japë rezultate.

“Mesazhi që dua të përcjell sot është se plani ynë ka nisur të japë rezultate. 5 muaj pasi njoftova planin, kalimet e paligjshme kanë rënë me 20 përqind krahasuar me një vit më parë”, tha Rishi Sunak, kryeministër i Britanisë.

Kryeministri britanik tha se falë marrëveshjes së arritur me Tiranën, në dhjetor të vitit të shkuar, autoritetet britanike po kthejnë në Shqipëri më shumë emigrantë, ndërsa numri i emigrantëve shqiptarë, që kanë hyrë me varka të vogla në Britani gjatë këtij viti ka rënë me 90 për qind.

“Në dhjetor arrita një marrëveshje me qeverinë shqiptare, sepse vitin e kaluar, thuajse një e treta e emigrantëve që hynin më varka të vogla në Britani vinin nga ky shtet i sigurt në Evropë. Në gjashtë muaj ne kemi bërë të mundur kthimin e 1800 emigrantëve shqiptarë. Më përpara, një në 5 kërkesa për azil vinte nga emigrant shqiptar, tani raporti është 1 me 50. Dhe cilat janë rezultatet për këtë? Deri më tani, gjatë këtij viti, numri i emigrantëve shqiptarë që kanë mbërritur me varka të vogla ka rënë me thuajse 90 për qind”, tha zoti Sunak.

Zoti Sunak i bëri thirrje parlamentit britanik që të miratojë projektligjin e ri për ndalimin e migracionit të paligjshëm, sipas të cilit pothuajse të gjithë azilkërkuesit që arrijnë në mënyrë të jashtëligjshme në Britani me varka të vogla nga ngushtica e La Manshit, do të ndalohen pa kusht, përpara se të kthehen mbrapsht në vendin e tyre.

Projektligji pritet të shqyrtohet në Dhomën e Lartë të Parlamentit, ku ligjvënësit mund të përpiqen të zbusin disa prej dispozitave të projektligjit.

Sipas projektligjit çdo emigranti që hyn në mënyrë të paligjshme në Britani i ndalohet të kërkojë azil dhe autoriteteve u jepet e drejta të ndalojnë dhe të dëbojnë refugjatët dhe emigrantët. Pasi të dëbohen atyre nuk do t’u lejohet më kurrë që të shkelin në Britani. Qeveria britanike thotë se projektligji do të frenojë përpjekjet e dhjetëra mijëra njerëzve për të kaluar kanalin e La Mnashit me varka të vogla me shpresën se do të hyjnë në Britani.

Por kritikët, përfshirë dhe Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, e kanë cilësuar paketën ligjore të qeverisë britanike të pazbatueshme, ndërsa ka pasur gjithashtu akuza se është në shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Artikulli paraprakPLAKJA E POPULLSISË DHE IKJA E TË RINJVE, GRUPMOSHA DERI NË 29 VJEÇ U TKURR ME 40 MIJË PERSONA NË VETËM NJË VIT
Artikulli tjetërOPERACIONI “KOMANI”, BLLOKOHEN 5 VARKA DHE 1 TRAGET