Copëza muri dhe pirgje me inerte kanë mbetur në shesh. Gati tre vite pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019, Shaqe Leka jeton në barakën që ka ndërtuar me dërrasë e llamarinë pranë rrënojave të shtëpisë në Ishull-Lezhë. E vetme, pas asnjë të ardhur veç bonusit të qirasë që merr nga bashkia e Lezhës në vlerën e 20 mijë lekëve në muaj. 60-vjeçarja tregon se nuk mund të përballojë jetesën në qytet, ndaj paratë e bonusit i përdor për tu ushqyer. Ajo kërkon ndërtimin e shtëpisë së re.

Procesi i rindërtimit të banesave individuale është vonuar në Lezhë. 60-vjecarja tregon se ka trokitur disa herë në dyert e këtij institucioni por nuk ka marrë përgjigje.Zyra e shtypit në Bashkinë e Lezhës tha se Shaqe Leka trajtohet me bonus qiraje, ndërsa presin të akordohen fondet nga Programi i Rindërtimit për afro 200 banesave të reja individuale në territorin e kësaj bashkie. Të dhënat shkencore nga Instituti i Gjeoshkencës treguan se tërmeti i datës 26 nëntor 2019 me magnitudë 6.4 ishte ndjerë 9 ballë në Hamallaj, Jube dhe Rrushkull, 8-9 ballë në Durrësi, Sukth dhe në Kuraten.

Lëkundjet e forta sizmike sollën edhe shumë panik në të gjithë vendin, jo vetëm në atë ditë por edhe për muajt më pas, duke sjellë panik për shumë qytetarë shqiptar.