
Rubiku u kthye këtë fundjavë në një pikë takimi për futbollin e moshave, duke mirëpritur Kupën e Miqësisë për grupmoshën U10. Aktiviteti u organizua nga Bashkia Mirditë, në bashkëpunim me Akademinë e Futbollit të Lyonit, Francë, duke sjellë në Rubik një atmosferë sportive dhe shkëmbimi përvojash mes ekipeve pjesëmarrëse.
Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, u shpreh se kjo zonë ka një traditë dhe pasion të veçantë për futbollin dhe sipas tij organizimi i aktiviteteve të tilla është një mundësi e mirë për të zbuluar dhe promovuar talentet e reja, si dhe për të nxitur fëmijët që të merren më shumë me sport.
Në përfundim të Kupës së Miqësisë, vendin e parë e fitoi ekipi i Rubikut, ndërsa në vendin e dytë u rendit skuadra e Lyonit nga Franca. Përtej rezultateve, aktiviteti synoi të përcjellë te fëmijët vlerat e bashkëpunimit, miqësisë dhe garës së ndershme, duke i dhënë një tjetër impuls zhvillimit të futbollit të moshave në Mirditë.


