Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të martë paketën e re të prokurimit publik, që synon sipas të parit të qeverisë, të kapërcejë sa më parë dhe sa më shpejt hendekun mes politikës dhe të ardhmes.

Në fjalën e tij, kryeministri deklaroi se paketa e re adreson qartësisht domosdoshmërinë për të rritur integritetin dhe përgjegjshmërinë e të gjitha palëve të përfshira në këtë proces, si dhe për të forcuar mekanizmat monitorues dhe ndëshkues për shkeljet.

“Duhet të kemi një mobilizim të posaçëm në zbatimin e paketës së re ligjore në fushën e prokurimit publik, pa humbur kohë. Nuk dua të hyj në detaje lidhur me progresin e bërë në këtë fushë, me rezultatet e lexueshme përmes të dhënave, që disponojmë, sepse qëllimi nuk është që të shikojmë pas, për t’u krahasuar me të shkuarën, por të shikojmë përpara për të kapërcyer sa më parë dhe sa më shpejt hendekun e gjerë mes nesh dhe të ardhmes.

Paketa e re ligjore synon pikërisht që t’u japë autoriteteve kontraktore dhe shtetit shqiptar mjete të reja efikase, duke ju garantuar një kuadër rregullator të prokurimit publik në Shqipëri të përafruar me legjislacionin evropian, si dhe duke adresuar të gjitha ato gjetje dhe rekomandime të ndryshme të organizatave ndërkombëtare, kërkesat për ndryshim, problematikat e hasura në praktikë gjatë procesit të prokurimit.

Paketa e re adreson qartësisht domosdoshmërinë për të rritur integritetin dhe përgjegjshmërinë e të gjitha palëve të përfshira në këtë proces, si dhe për të forcuar mekanizmat monitorues, por edhe ndëshkues, për shkeljet e konstatuara”, tha Rama.