Ada e Velipojës nuk e ka zhvilluar ndeshjen e kupës përballë ekipit të Kevitan.

Kjo sfidë sipas shortit do të duhej që të luhej ditën e diele por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Burime pranë ekipit veleipojak bëjnë me dije se drejtuesit e Adës kanë pranuar që Kevitan ta fitojë ndeshjen e parë në tavolinë për shkak se nuk është ende e gatshme për të zbritur në fushën e lojës si shkak i mungesës së futbollistëve dhe të ardhmes që mbetet ende në dyshim. Në këtë mënyrë Kevitan ka fituar 3-0 sfidën e parë të Kupës në tavolinë dhe tashmë duhet pritur deri në ndeshjen e dytë nëse Ada do të arrijë që ta bëjë ekipin. Skuadra velipojake sezonin e kaluar nuk arriti që të mbijetojë në Kategorinë e Parë për shkak të rezultateve të dobëta dhe problemeve ekonomike duke bërë që të bie një kategori më poshtë. Sezoni i ri në Kategorinë e Dytë ende nuk ka nisur ndërsa ende nuk është hedhur as shorti dhe nuk janë përcaktuar ekipet që do të marrin pjesë. Dyshime ka edhe për Adën e Velipojës nëse do të jetë apo jo pjesëmarrëse në kampionat. Vështirësitë janë prezente por burime pranë Adës bëjnë me dije se presidenti Alfred Pjetri po bën të gjithë përpjekjet për ta regjistruar klubin edhe këtë sezon dhe për të qenë një prej skuadrave pjesëmarrëse në Kategorinë e Dytë. Gjithsesi ende asgjë nuk është vendosur qoftë për kampionatin për shkak të këtyre problemeve që kanë shumë ekipe e po ashtu edhe për Adën e Velipojës. Në rast se velipojakët marrin pjesë atehërë do të ishte pozitive sepse lojtarë që nuk gjejnë hapësira në ekipe të tjera mund të aktivizohen aty.

Artikulli paraprakBORSHI: MBETJET? TË MENAXHOJMË MË PARË SHQIPËRINË
Artikulli tjetërPRONA TEK GJIRI I LALZIT,MANJANI:TE IKE GJYQTARJA