Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani u ndal fillimisht tek ligji i miratuar tashmë për kthimin dhe kompensimin e pronave, duke theksuar se është ligji më i mirë për kushtet e Shqipërisë.

Ai deklaron se me këtë ligj synohet që brenda 10 viteve të mbyllet ky problem. Ministri tha se janë 26 mijë ish-pronarë që kërkojnë zgjidhje përfundimtare, ndërsa aktualisht, megjithëse e konsideroi modeste, Manjani deklaroi se 34 ish-pronarë e kanë mbyllur përfundimisht çështjen e tyre me të shkuarën dhe shtetin.

Manjani: Më lejoni të ndajë kënaqësinë që patën javën e shkuar që lidhet me opinionin e Komisionit të Venecias për çështjen e ligjit të trajtimit të pronave. Në ditët e parë të punës sime kur jam njohur me atë ligj e kam mbështetur fuqimisht pasi në kushtet e Shqipërisë, kjo çështje meriton zgjidhje përfundimtare. Mbetem përkrahës i pikëpamjes se pa një zgjidhje përfundimtare të menjëhershme të çështjes së pronave, nuk mund të kërkojmë dot mundësi për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe as për garanci juridike që në tërësi quhet klimë e biznesit. Pronari do të marrë atë që takon dhe prona në fund fare nuk është gjë tjetër vetëm se vlerë që qarkullon. Ky ligj i realizon të gjitha këto kërkesa. Janë rreth 26 mijë syresh që sot i trajton Agjencia e Pronave. Të paktën në vitin e fundit është bërë një punë voluminoze. Megjithëse modeste, por duhet ta theksojmë, aktualisht 34 ish-pronarë kanë mbyllur dosjen një herë e mirë me të shkuarën dhe shtetin shqiptarë dhe ata quhen të mbyllur, të kompensuar. Ligjërisht kemi rënë dakord që deri në 10 vitet e ardhshme kjo histori të mbyllet një herë e mirë duke vënë theksin tek kthimi fizik. Aty ku prona është e lirë, duhet t’i shkojë pronarit.

Ministri tha se shpresonte që Gjykata Kushtetuese të merrte parasysh këtë Opinion.

Artikulli paraprakJAKA: ANËTARËSIMI I DETYRUESHËM I BIZNESEVE NUK I RËNDON
Artikulli tjetër“TRUMP ËSHTË NJË XHENTËLMEN”