Lulzim Basha vijon fushatën për t’u zgjedhur si kreu i ri i PD dhe thotë se prioritet do të ketë hapjen e partisë për të rinjtë e të rejat që duan ndryshim. Në deklaratën e tij për mediat, Basha thotë se ndryshimet kushtetuese që propozon janë në interes të qytetarëve që deputetët t’i zgjedhin ata, jo bandat.

“Hapja e Partisë Demokratike ndaj të rinjve dhe të rejave është një nga prioritetet tona. Harmonizimi i frymës dhe pasionit të rinisë me përvojën dhe profesionalizmin e kontributorëve ndër vite, është një hap i rëndësishëm në riorganizimin që kemi nisur, për t’i dhënë shqiptarëve një alternativë më të mirë.

Natyrisht pjesë e saj do të jenë të gjithë ata që duan ndryshim, që duan që për qeverisjen dhe deputetët të vendosin qytetarët dhe jo bandat kriminale që sot kontrollojnë shtetin, ekonominë, policinë, zgjedhjet, jetën e vendit”, shkruan Basha. Ndër të tjera shprehet se do krijojë aleancë politike e qytetare për t’iu kundërvënë frikës që ka pllakosur shoqërinë tonë.

“Ne do të krijojmë një aleancë të gjerë politike dhe qytetare, që frikës dhe pasigurisë që ka pllakosur shoqërinë tonë, t’i kundërvihet me shpresë dhe besimin se gjërat mund të ndryshojnë për mirë, duke i dhënë rëndësi votës së qytetareve, që nis me zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës.

Që zëri i qytetarëve të dëgjohet, vullneti i tyre të përfaqësohet dhe interesat e tyre të mbrohen, do të punojmë fortë që mekanizmat kushtetues të jenë në shërbim të tyre, duke hapur listat, pastruar politikën përmes vetting-ut, kufizuar mandatin e kryeministrit, garantuar votën e diasporës, duke i dhënë më shumë kompetenca Parlamentit dhe Presidentit të Republikës, për të garantuar kontrollin dhe balancat e pushteteve”, tha Basha.

Artikulli paraprakSITUATA NË VERI TË KOSOVËS, VUÇIÇ BISEDON ME MACRON
Artikulli tjetërLAJM I FUNDIT/ RAMA NJOFTON SHKARKIMIN E MINISTRIT ÇUÇI, TAULANT BALLA MINISTRI I RI I BRENDSHËM