Kampionati kombëtar i U-18 në sportin e boksit ka hapur siparin teksa po zhvillohet në qytetin e Shkodrës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.

Në total në ditën e parë janë zhvilluar 9 ndeshje në të cilat skuadra e Vllaznisë pati 3 përballje duke arritur që të marrë 3 fitore. Kështu në peshën 69 kilogram Agron Muriqi për Vllazninë boksoi përballë boksierit të Apolonisë Jemin Korçari duke arritur që të fitojë pa probleme ndaj tij. Ndeshja e dytë për Vllazninë ishte në peshën 75 kilogram ku Andrea Demaj arriti që të mposhtë Endri Mustafaja të Apolonisë. Sfida e fundit për kuqeblutë 18 vjeçar ishte në peshën +91 kilogram ku Esmerald Sylja siguroi fitoren përballë Hendri Spaneshi të Teutës. Kështu shkodranët kanë bërë një paraqitje të mirë që në ditën e parë duke arritur 3 fitore në 3 ndeshje të zhvilluara. Vllaznia përfaqësohet në total me 4 boksier teksa përveç tre emrave që fituan në ditën e parë është edhe Majkëll Pecaj në peshën 91 kilogram. Pecaj bashkë me boksierin Esmerald Sylja kanë siguruar ditën finale duke shpresuar për fitimin e medaljeve të arit. Në gjysmëfinalet Vllaznia do ketë dy sfida. Kështu në ring në peshën 69 kilogram Agron Muriqi do ketë përballë një boksier nga Berati ndërsa në peshën 75 kilogram Andrea Demaj do boksojë ndaj një boksierit të ekipit privat Arena. Edhe pse me vetëm 4 boksierë në këtë kampionat të 18-vjeçarëve Vllaznia synon që të bëjë një paraqitje pozitive deri në fund duke kërkuar kështu edhe fitimin e 4 medaljeve të arit me sportistët e saj. Natyrisht që nuk do të jetë e lehtë për shkak të rivalitetit por kuqeblutë e rinj janë përgatitur për këtë aktivitet për të qenë ata fitues të vendeve të para.

Artikulli paraprakARGJINATURA E LUMIT KIR MBULOHET NGA MBETJET URBANE
Artikulli tjetërKUR SËMUNDJA DHE VARFËRIA JETOJNË BASHKË