Me debate dhe akuza është shoqëruar edhe mbledhja e dytë në partinë socialiste të Shkodrës. Një pjesë i janë drejtuar të deleguarit Ditmir Bushati duke i thënë se PS në Shkodër gjatë gjithë këtyre kohëve nuk ka patur aspak një mbarëvajtje të mirë dhe nuk ka qenë aspak e organizuar ndaj duhen marrë masa edhe nga lidershipi i partisë. Siç u tha në mbledhje, baza kërkon që kryetari i PS në Shkodër të votohet nga vetë ata dhe jo të vendosë qendra duke i komanduar.

Disa prej kryetarëve të organizata i janë drejtuar deputetit Kopliku duke i thënë se nuk kemi pse kërkojmë vota për PS kur ju deputetët nuk interesoheni për ne sepse ka organizata që nuk kanë asnjë të punësuar. Edhe kryetari aktual i PS Shkodër Andi Halluni është thumbuar për mosnjoftimin e anëtarëve të këshillit bashkiak të Shkodrës që janë pjesë e PS për mbledhjen e zhvilluar. Nga ana tjetër Luan Hetës si koordinator që ka qenë në zgjedhjet vendore të 21 qershorit i është kërkuar që të dorëzojë rezultatet dhe përllogaritjet që ai ka bërë për të gjithë kryetarët e organizatave. Për të treguar forcën e tij politike Luan Heta, ka përmendur mungesën e zyrave serioze për partinë apo duke thënë se është ai që e njeh të gjithë bazën shumë mirë. Deputeti Kopliku akuzën më të rëndë e ka marrë kur dikush nga salla i është drejtuar duke i thënë se: ”ti i bën mbledhjet sa në një klub në një tjetër, i bën me grupime dhe si ke qejf”. Kjo e ka nxehur jo pak deputetin e Shkodrës i cili është kundërpërgjigjur duke mohuar këto akuza. Kur për një kohë të gjatë nuk u përmend në diskutime emri i deputetit të PS Paulin Sterkaj, ky i fundit ka reaguar. ”Pse më anashkaloni. Unë jam deputet fitues. Strukturat duhet t’i bëni si në Koplik nëse kërkoni që t’ju ecin punët mbarë e jo kështu siç jeni ju”-ka thënë Sterkaj. Ish-drejtorja e ALUIZNIT Antonela Kçira ka deklaruar se do jetë një prej kandidateve për kryetar të PS Shkodër. Kjo revoltë e saj ka ardhur sepse siç deklaroi në mbledhje është shkarkuar si kryetare e një prej organizatave të PS në Shkodër pa u njoftuar fare dhe akuzoi se ka qenë e qëllimshme. Këto debate dhe akuza tregojnë se Ditmir Bushati nuk do ta ketë të lehtë të strukturojë socialistët e Shkodrës.

Artikulli paraprakPS SHKODËR, MBLEDHJA E DYTË PËR RIORGANIZIMIN
Artikulli tjetërVOLTANA ADEMI ZGJIDHET KRYETARE E SHOQATËS SË BASHKIVE