Të mërkurën u kalua për herë të parë në Gjermani kuota e më shumë se 50.000 infektimeve të reja në një ditë. 65.000 vetë i infektuan në Gjermani brenda një dite. Kurse incidenca shtatëditore rekordin e deritashëm e arriti të shtunën (20.11.): 362,2 vetë për 100.000 banorë dhe 248 të vdekur nga COVID-19.

Në të njëjtën kohë me shpejtësi po rritet edhe numri i të sëmurëve me Covid-19, që duhet të shtrohen në pavionet e kujdesit intensiv. Në të gjithë Gjermaninë ky numër të hënën (15.11.) ishte 3200, gati 1000 më shumë se një javë më parë.

Shifra e shtretërve intensivë që ka Gjermania, në medie, jepet me 4000 shtretër (ose 5000 shtretër, varësisht nga personeli i kualifikuar për këta shtretër. Këtu nuk përfshihet një rezervë emergjente prej 10.000 shtretërish). Në jug të Gjermanisë, veçanërisht në Bavari, shkalla e mbushjes së disa spitaleve ka arritur 100%.

Faktorët që kanë çuar në këtë gjendje janë të shumtë. Por në bazë të shifrave të duhet të pranosh se mungesa e vaksinimit luan rolin kryesor në përhapjen e infektimeve. Kjo del qartë po të shihet gjendja në rajonet e ndryshme të Gjermanisë.

Në landin e Bremenit, në veri të Gjermanisë numri i të pavaksinuarve është shumë i vogël, 21 përqind. 79 përqind e popullatës është vaksinuar plotësisht. Këtu paraqitet edhe incidenca më e ulët në Gjermani, 134 vetë për 100.000 banorë.

Kurse në landet e Saksonisë në Lindje dhe të Bavarisë në jug numri i të pavaksinuarve është shumë i madh: në Saksoni janë të pavaksinuar 40.3 për qind e njerëzve. Edhe incidenca në këtë land është më e larta në Gjermani, rreth 900. Në Bavari të pavaksinuar janë 32.5 për qind e banorëve. Incidenca mesatare në këtë land është 650!

Autoriteti kryesor i shëndetësisë në Gjermani, Instituti Robert Koch ka ritheksuar se vaksinimi e pakëson me 90% rrezikun që të përfundosh në stacionin intensiv. Kurse rrezikun e vdekjes, vaksinimi e pakëson me 87%.

Me variantin Delta të virusit – dhe me shtimin e numrit të të vaksinuarve – janë shtuar edhe rastet kur virusi e mposht vaksinimin. Por ekspertët thonë me këmbëngulje se bëhet fjalë për njerëz që pa vaksinimin do ta kishin pasur edhe më keq. Në radhë të parë këta janë të moshuar ose njerëz me sëmundje paraprake. Në rastet e tjera të pakta të infektimit, rrjedha e sëmundjes është fatmirësisht e lehtë.

Përballë shifrave aktuale të infektimeve virologë gjermanë po i shohin në mënyrë vetëkritike disa nga deklaratat e bëra gjatë këtij viti. Virologu i njohur, Alexander Kekule tha mbrëmë në televizionin publik ZDF se kishte çuar pjesërisht në shkujdesje të plotë dhënia e sigurisë të vaksinuarve, se pas vaksinimit ata e përcjellin më pak virusin dhe janë më se të sigurt nga virusi.

Varianti Delta është treguar më agresiv se variantet e tjera të Covid-19. Ndaj ai kërkoi që edhe të vaksinuarit të ruajnë distancën sociale dhe të mbajnë maskën. Kjo i mbron më mirë të vaksinuarit vetë, por njëkohësisht ndikon në shmangien e mbingarkimit të sistemit shëndetësor gjerman.

Standarde të reja për vendosjen e kufizimeve publike

Qeveria qendrore dhe landet federale miratuan në takimin e djeshëm (18.11.) një katalog të gjerë masash me standarde të reja për kufizimet. Synimi kryesor afatshkurtër do të jetë përforcimi i vaksinimit, i ashtuquajturi “booster” – për 27 milionë gjermanë deri në fund të dhjetorit. Njëkohësisht do të shtohen kufizimet për të pavaksinuarit.

Kriteri i ri që në Gjermani të hyjnë në fuqi masa më të ashpra do të jetë e ashtuquajtura incidenca e shtrimit në spital. Kur në një rajon apo land federal shtrohen në spital me Covid më shumë se tre vetë për 100.000 banorë, atje do të zbatohet rregulli 2G, për të gjitha aktivitetet e kohës së lirë publike.

Kjo do të thotë se në ambjente publike si p.sh. restorante dhe hotele do të lejohen vetëm personat e vaksinuar dhe të shëruar. Kur në spital shtrohen gjashtë vetë për 100.000 banorë, do të kërkohet që të vaksinuarit dhe të shëruarit të paraqesin edhe një test shtesë negativ për COVID (“2G+”).

Kur në spital shtrohen nëntë vetë për 100.000 banorë, do të zbatohen masa të tjera, si kufizime të pjesshme të kontakteve. Aktualisht, mesatarja në Gjermani është 5,34. Landet e Saksoni-Anhaltit dhe Turingisë janë mbi vlerën nëntë.

Ligji kundër infektimeve përjashton mbylljet masive të jetës publike

Mbyllje masive të jetës publike (lockdown) si ajo që përjetuam vitin e kaluar në Gjermani nuk do të ketë më. Këtë nuk e lejon ligji i ri kundër infektimeve, që u miratua të enjten (18.11.) nga Bundestagu. Ky ligj tani nuk lejon më të kufizohet gjerësisht liridalja, të mbyllen gjerësisht shkollat, apo të ndalohen demonstratat e shërbesat fetare. Nuk do të lejohet më as mbyllja apo kufizimi masiv i dyqaneve, bizneseve dhe sporteve.

Por, për të pavaksinuarit kufizimet do të shtohen në atë masë sa të afrohen me një përjashtim masiv nga jeta publike. Kjo po përvijohet në Bavari. Kryeministri i Bavarisë, Markus Söder tha se nga java e ardhshme, në disa hotspot-e me një incidencë mbi 1000 në Bavari (në tetë qarqe) nevojitet “një frenë emergjente e fortë”.

Për tre javë atje do të mbyllen hotelet, gastronomitë, parukeritë dhe aktivitetet kulturore e sportive. Baza ligjore për këtë është varianti i vjetër i ligjit kundër infektimeve, varianti i ri u miratua të premten.

Në gjithë Gjermaninë do të futet për herë të parë rregulli 3G në vendin e punës. D.m.th. në qendrën e punës mund të shkosh vetëm kur je i vaksinuar, i shëruar, apo i testuar atë ditë. Ky rregull do të vlejë edhe në transportin publik.

I detyrueshëm do të jetë testimi ditor i personelit dhe vizitorëve në shtëpitë e përkujdesjes për të sëmurët kronikë dhe të moshuarit, pavarësisht vaksinimit. Me ligjin e ri kundër infektimeve përcaktohet gjithashtu që falsifikimi i testeve apo i çertifikatës së vaksinimit të dënohet me deri pesë vjet burg (nga dy vjet sa ishte deri tani.)

Do të rivendoset detyrimi për të punuar nga shtëpia. Infermierët, veçanërisht ata që punojnë në kujdesin intensiv, do të marrin ngritje të madhe page. Studiuesit i preokupon fakti që vende me kulturë dhe mirëqënie të lartë si Gjermania, Austria dhe Zvicra kanë shifra të ulëta të të vaksinuarve.

Në Zvicër, nuk janë vaksinuar me dozën e parë një e treta e popullatës, në Austri, 33.1 përqind, kurse në Gjermani janë 30.4 përqind të pavaksinuar me dorën e parë. Në Gjermani aktualisht më shumë të pavaksinuar kemi në jug, në landet e Bavarisë dhe të Baden-Vyrttembergut. Si dhe në lindje, në landin e Saksonisë.

Të pavaksinuarit, të paktën në Gjermani, nuk janë të gjithë kundërshtarë të vendosur të vaksinimit. Në një sondazh të universitetit të Erfurtit rezultoi se nga 80 përqind e të pavaksinuarve, të panevojshëm vaksinimin e konsiderojnë vetëm 41 përqind e tyre. Të tjerët janë ende në proces reflektimi. Ndaj politika kërkon tani t’ua lehtësojë bërjen e vaksinës, me oferta këshillimore, por edhe duke i shtuar pikat ku mund të vaksinohen ata.

Specialisti i fesë, Michael Blume i tha gazetës Süddeutsche Zeitung se vaksinimet e ulëta në zonën kryesisht gjermanishtfolëse të Alpeve, me rreth 80 milionë banorë, nga njëra anë lidhen me historinë, me traditat e forta federale, demokratike atje. Me fjalë të tjera ato kanë të bëjnë me ndjenjën e lirisë, por edhe të skepticizmit ndaj asaj që vjen nga strukturat qendrore. Kujtojmë p.sh. preferencën për referendumet në Zvicër.

Nga ana tjetër, në këto zona kanë zënë vend lehtë historikisht teoritë e konspiracionit, si p.sh. antisemitizmi apo ideja e komplotit të përbotshëm bolshevik. Nazizmi lindi në Austri dhe në Bavari, në jug të Gjermanisë. Fashizmi në Itali i ka fillimet e tij në Milano.

Nuk është rastësisht që lëvizja kundër vaksinimit, e shoqëruar me mite konspiracioni, e cila mbrohet nga lëvizja “Querdenker” (“Mendjeçelëtit”) është më e fortë në këto rajone. Në mitet e konspiracionit, shfrytëzohet mundësia për ta larguar nga vetja atë gjë që të frikëson. Dhe për ta lidhur me shëmbëlltyrën e një kundërshtari, armiku.

Blume kujton se për të korrat e këqia fajin më parë e kishin shtrigat. Kurse për virusin sot, faji kërkohet te industria farmaceutike ose te Bill Gates. Më tej faji kërkohet te hebrenjtë, tek interesat e supozuara të tyre.

Prandaj priten si çlirues politikanë që premtojnë t’i çlirojnë njerëzit nga përfytyrime si këto. Një rol të tillë e luajnë me mjeshtëri politikanë të tipit të Donald Trumpit.

Refuzimit të shumë njerëzve për të luftuar pandeminë, Austria iu përgjigj me një lockdown të ri për të gjithë. Prej së hënës (22.11.) do të ketë një mbyllje masive mbarëkombëtare. Ndërsa prej 1 shkurtit 2022, Austria bëhet shteti i parë i BE që do të praktikojë vaksinimin me detyrim të popullatës./ DW

Artikulli paraprakATAKU TEK TË RINJTË, ÇFARË SHKAKTON DHE SI TA PARANDALONI
Artikulli tjetërKORONAVIRUSI NË ITALI/ MBI 10 MIJË RASTE TË REJA DHE 48 VIKTIMA NË 24 ORËT E FUNDIT