Ky është momenti kur një person djeg fouristradën e shtetasit Sokol Kroni, efektiv policie në drejtorinë vendore të policisë së Shkodrës. Kamerat e sigurisë kanë kapur momentin kur autori i vë flakën automjetit tip Mitsubishi në pronësi të policit Sokol Kroni. Policia vendore e Shkodrës bën të ditur se ka qenë ora 4:00 e mëngjesit të sotëm kur një person ende i paidentifikuar është afru dhe ka djegur makinën e efektivit të policisë.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur kolegët e efektivit Kroni duke nisur hetimet për djegien e fouristradës. Po ashtu edhe efektivët zjarrëfikës kanë mbërritur në vendin e ngjarjes duke nisur punën për të bërë aktin e ekspertizës edhe pse tashmë përmes pamjeve të kamera të sigurisë është e qartë se kemi të bëjmë me një djegie të qëllimshme. Ndërkohë vetë efektivi i policisë Sokol Kroni ka deklaruar se nuk ka asnjë konflikt me ndonjë person dhe nuk e di se përse i kanë djegur fouristradën e tij.

“Nuk kam asnjë konflikt. Nuk e kam idenë se kush mund ta ketë bërë sepse nuk kam patur probleme, as presione apo kërcënime nga askush. Nuk e di përse e kanë djegur dhe se kush mund të jetë autori”, mësohet të ketë thënë efektivi i policisë për kolegët e tij gjatë marrjes në pyetje lidhur me këtë ngjarje. Sokol Kroni është efektiv policie që mbulon zonën malore të Thethit në Dukagjin.

Ndaj pista kryesore për të cilën po heton policia është se djegia e fouristradës së policit Sokol Kroni mund të ketë ardhur për shkak të detyrës, megjithatë një gjë e tillë nuk është konfirmuar ende. Zona e Dukagjinit në këtë periudhë në të cilën ndodhemi shërben në disa fshtra të thellë malor për kultivimin e kanabisit nga trafikantë të ndryshëm. Kjo është pika ku është fokusuar policia duke hetuar për të arritur në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

Fouristrada e efektivit Sokol Kroni ishte e parkuar afër banesës së tij ndërsa në atë orë të vonë në 4 të mëngjesit normalisht që nuk ka patur asnjë lëvizje duke i dhënë mundësi autorit që të largohet me shpejtësi. Gjatë momentit të djegies së automjetit autori që nuk është identifikuar ende rrezikoi veten në momentin kur fouristrada merr flakë.