Komisioni i Disiplinës ka zbardhur vendimet e rradhës për mbledhjen e saj të fundit. Kështu, për sfidën e javës së gjashtë të kampionatit kombëtar të futsallës në mes Flamurtarit dhe Vllaznisë, e luajtur në Vlorë, ku tifozë të skuadrës vendase zbritën në fushë dhe goditën pjesëtarë të ekipit shkodran, Disiplina ka dhënë vendimin e duhur për këtë incident të rëndë. Ky komision ka vendosur fitoren në tavolinë me rezultatin 3-0 për Vllazninë dhe zhvillimin e katër ndeshjeve pa spektatorë dhe në fushë asnjanëse për Flamurtarin.

“Flamurtari FC Futsal, për dhunën e ushtruar ndaj lojtarëve të KF Vllaznia Futsal, duke sjellë ndërprerjen përfundimtare të ndeshjes, në bazë të neneve 6/3/b, 6/3/d, 8/1, 16/1 dhe 17/1/a të KDE, dënohet me gjobë, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe zhvillimin e 4 (katër) ndeshjeve pa spektatorë dhe në fushë asnjanëse.Në zbatim të nenit 76/1/f të KDE, gjoba të aplikohet në masën 10%.”

Ndërkohë, nga ana tjetër vazhdon gjobitja e klubit të futbollit Vllaznia, për sjelljen e gabuar të tifozëve shkodranë. Kjo gjë ka ardhur prej ndeshjes së fundit në Laç, teksa klubi shkodran është gjobitur me 500-mijë lekë të vjetra për sjellje të gabuar të tifozëve dhe hedhjen e sendeve në fushën e lojës.

“KF Vllaznia, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.”

Po nga ana tjetër, Komisioni i Disiplinës pezulloi me dy ndeshje edhe trajnerin e Vllaznia U-15, Denis Zmijani.

Artikulli paraprakUNIVERSITETI NDEROHET ME ÇMIMIN “FEHMI AGANI”
Artikulli tjetërOSMANI: DETYRË TË FITOJMË NDAJ TEUTËS