I shpallur kampion dimri në Seria A, me një performancë të shkëlqyer me skuadrën e Napolit, futbollisti i Përfaqësueses së Shqipërisë, Elseid Hysaj, është bërë pjesë sondazhit të radhës për vlerësimin e cilësive dhe kualitetit të shkodranit, për një vend në formacionin më të mirë të kampionatit Italian në gjysmën e parë të sezonit.

Hysaj është mes pesë kandidatëve të përzgjedhur nga gazeta “Corriere dello Sport” si mbrojtësit më të mirë të krahut të djathtë, nga të cilët do të shpallet fituesi. Aktualisht, Hysaj kryeson klasifikimin me 195 vota në favor nga 577 në total, apo 34% të tyre. “Të jesh kampion dimri nuk është e rëndësishme, pasi është më mirë të fitosh titullin kampion në fund të kampionatit. Tashmë jemi të parët në klasifikim dhe duhet të ruajmë këtë pozicion. Do të ketë presion, por ne nuk duhet të na marrë entuziazmi i tifozëve. Do ta shikojmë klasifikimin vetëm në përfundim të turneut, për të parë kush qëndron në tre vendet e para”, citon “Gazzetta.it” mbrojtësin e Kombëtares Kuqezi, Elseid Hysaj që aktivizohet me kampionët e dimrit në Itali, Napolin. Sipas “Gazzetta.it”, Hysaj e nisi këtë sezon jo me marshin e duhur, por për tu rritur gjatë rrugëtimit në mënyrë të ndjeshme dhe të qëndrueshme, sikurse e gjithë skuadra e Napolit. Sportivja italiane vijon të citojë Hysajn: “Në fillim për mua ishte një sfidë shumë e vështirë. Ishte e guximshme të vija te Napoli, një sfidë me veten. Nëse në fillim të sezonit dikush do të më kishte thënë se do të realizoja një sezon si ky, atëherë nuk do ta besoja. Jam përmirësuar shumë në fazën mbrojtëse falë stërvitjes me Mertens, Higuain dhe Insigne, çka e bën gjithçka shumë më të lehtë. Nuk ishte e lehtë të fitoja vendin e titullarit. Uroj të vijoj kështu”.

Artikulli paraprakPELLEGRINI, GUARDIOLA SKA PSE MË KËRKON FALJE
Artikulli tjetërLIVERPOOL – ARSENAL, DUEL DEKLARATASH MES TRAJNERËVE