Manuel Pellegrini insiston se Pep Guardiola nuk ka asnjë arsye pse t’i kërkojë falje, pavarësisht spekullimeve konstante që e bëjnë thuajse një fakt të kryer transferimin e trajnerit aktual të Bayern Munich për te Manchester City.

Vetë Guardiola deklaroi në dhjetor se do të largohet nga Bayern në përfundim të sezonit, një vendim ky i kritikuar prej disave, ndërkohë që kohët e fundit konfirmoi se stacioni i tij i radhës do të jetë Premier League. Madje, ish-trajneri i Barcelonës, gjatë ditës së hënë u kërkoi falje kolegëve të tij në futbollin anglez, pavarësisht se vetë Pellegrini insiston se kjo situatë nuk e preokupon. “Jo, nuk jam aspak i shqetësuar për këtë çështje. Nuk mendoj se ai duhet të më kërkojë mua falje. Nuk kam asgjë për të thënë lidhur me këtë veç asaj që thashë edhe para tre apo katër javës. Nuk më shqetëson e ardhmja”, deklaroi Pellegrini. Sipas “Goal.com”, është fakt që Guardiola do të zëvendësojë Pellegrinin gjatë verës, për çka edhe vetë ky i fundit ka është plotësisht në dijeni të planeve të drejtuesve të City-t, madje duke folur kohët e fundit gjërë e gjatë për të ardhmen e tij, ai ka uruar që një ditë Guardiola të drejtojë këtë klub, ndonëse këmbëngul se është I fokusuar në mbylljen me sukses të sezonit. “Obligimi im është që të bëjë maksimumin për skuadrën e Manchester City. Objektivi mbetet përpjekja për të fituar titullin kampion në Premier League, si dhe të qenit i angazhuar në të gjitha kompeticionet deri në përfundim, si dhe të fitimi i një tjetër kompeticioni”, përfundoi Pellegrini.