“Calciomercato.it” po organizon një votim me lexuesit e vet, në lidhje me formacionin më të mirë të Seria A, këtë edicion. Natyrisht, për çdo pozicion, janë futur në sondazh nga katër lojtarë, të cilët po votohen. Më i votuari do të përfshihet si më i miri në rolin përkatës.

Formacioni i përzgjedhur në fund do të kompletojë skemën 4-2-3-1, por në të figuron edhe Elseid Hysaj, mbrojtësi i kombëtares shqiptare dhe i Napolit. Shkodrani kuqezi është zgjedhur si mbrojtësi i djathtë më i mirë. Fillimisht u përzgjodh portieri më i mirtë, që është Handanoviç. Slloveni zikaltër triumfoi përballë të riut Donnarumma të Milanit, Reinas së Napolit dhe Bufonit të Juventusit. Më tej, “Calciomercato.it” e vazhdoi sondazhin me mbrojtësin e djathtë. Elseid Hysaj fitoi në mënyrë bindëse në këtë rol, me 42 për qind të votave, duke sfiduar Florenzin e Romës, me 33 për qind. Në vendin e tretë u rendit braziliani Bruno Peres i Torinos dhe i katërti kroati Vrsaljko i Sasuolos. Elseid Hysaj u bashkua këtë verë me Napolin dhe ka fituar menjëherë vendin e titullarit. “Një lojtar premtues, që nuk ka bërë asnjë gabim gjatë kësaj periudhe si debutues te skuadra e Sarrit. Ai e ka filluar si titullar çdo ndeshje të kampionatit italian, këtë sezon, dhe ka shkëlqyer me ekipin e tij të ri, edhe pse ka vetëm 21 vite mbi supe. Ai e filloi sezonin duke luajtur pak i përafërt me pozicionin e tij, më pak i prirur në të majtë të mbrojtjes, por, kur u kthye në rolin natyral, si mbrojtës i djathtë, ka luajtur shumë mirë. Një surprizë e këndshme dhe e mirëpritur nga napoletanët,”- shkruan kjo media italiane, duke bërë portretin e mbrojtësit të djathtë më të mirë në Seria A.

Artikulli paraprakShkodër,operacioni për kapjen e personave të shpallur në kërkim
Artikulli tjetërMOURINJO, E ARDHMJA E AFËR REAL MADRID ?!