Arqipeshkvi i Shkodres Imzot Angelo Massafra, ka uruar te gjithe besimtaret myslimane me rastin e festes se Fiter Bajramit.

“Shumë i nderuar Imam
Muhamed SYTARI, Myfti i Shkodrës,
Vëllezër dhe motra myslimanë!

Në emërin tim personal dhe në emër të Arqidioqezës Shkodër-Pult ju uroj: GËZUAR festën e ‘ID AL-FITR-it, Bajramit.

Festa e Bajramit vjen pas agjerimit dhe lutjes që bëtë gjatë muajit të Ramazanit, i cili është i rëndësishëm për jetën e bashkësisë myslimane dhe uroj t’i ketë dhënë secilit një forcë të re në jetën shpirtërore personale, shoqërore dhe familjare, në këtë kohë të vështirë.

Dikasteri Papnor për Dialogun Ndërfetar ju shpreh të gjithëve ju urimet e tij më të mira me uratë dhe me përgëzime të përzemërta dhe sivjet Mesazhi e Tij ka si motoja: “Të krishterë dhe myslimanë: ta shuajmë zjarrin e luftës dhe të ndezim qiriun e paqes”.

Papa Françesku na thotë: “Asnjë luftë nuk është e shenjtë, vetëm paqja është e shenjtë…në luftë humbasim të gjithë”; “paqja është një dhuratë hyjnore, por në të njëjtën kohë, është fryt i përpjekjeve njerëzore”.

Zoti i Mëshirshëm dhe i Gjithëpushtetshëm na ndihmoftë që të ecim gjithmonë në rrugën e mirësisë, të dhembshurisë dhe të paqes dhe lusim për paqen në Ukrainë, në Palestinë, në Izrael dhe në të gjithë botën.

PËRSHUMËVJET BAJRAMIN
Angelo Massafra O.F.M. Arqipeshkëv Metropolit Shkodër-Pult.”

Artikulli paraprakNESËR MBLIDHET KUVENDI, PRITET VOTIMI PËR MANDATIN E OLTA XHAÇKËS
Artikulli tjetërFITËR BAJRAMI KREMTOHET EDHE NË SHKODËR, BESIMTARËT FALIN NAMAZIN