Fjalimi i fundit në OKB, Obama: Të ndryshojmë kurs, ekstremizmi nuk zhduket shpejt

Presidenti Barack Obama pranoi këtë të martë se Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera botërore kanë aftësi të kufizuara për të zgjidhur sfidat më të thella me të cilat përballet sot bota, ndërsa bëri thirrje për një “korrigjim kursi” sa i përket globalizimit, për t’u siguruar që vendet të mos bien prè e një bote më të përçarë. Obama, në fjalimin e tij të fundit përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, pranoi gjithashtu se ekstremistët dhe dhuna e sekteve të ndryshme, që po bëjnë kërdinë në Lindjen e Mesme apo në vende të tjera të botës, “nuk do të mund të zhduket së shpejti”. E megjithatë, ai i mbeti besnik këmbënguljes së tij se, përpjekjet diplomatike dhe jo zgjidhja ushtarake, janë rruga e duhur për t’i dhënë fund luftës civile siriane, por edhe konflikteve të tjera. “Nëse duhet të jemi të ndershëm, e dimë se asnjë fuqi e jashtme nuk mund të detyrojë komunitetet e besimeve të ndryshme, apo komunitetet etnike, të bashkëjetojnë për një kohë të gjatë”, tha Obama. “Deri kur t’u jepet përgjigje pyetjeve jetike mbi mënyrën sesi do të mund të bashkëjetojnë të tilla komunitete, thëngjinjtë e ekstremizmit do të vazhdojnë të djegin. Qenie të shumta humane do të vuajnë prej tyre”. Ndërkohë, në një goditje aspak me delikatesë ndaj Donald Trumpit, kandidatit republikan që pretendon ta pasojë atë, Obama tha se “bota është aq e vogël për ne, saqë nuk mundet thjesht të ndërtojmë mure dhe të pretendojmë se do të parandalojmë ekstremizmin të prekë shoqëritë tona”. Presidenti amerikan u shfaq gjithashtu i palëkundur në kritikat e tij ndaj Rusisë, teksa shpalosi diagnozën e tij ndaj “sëmundjeve” të botës. Dallimet mes Obamës dhe presidentit rus, Vladimir Putin, mbi veprimet e këtij të fundit në Ukrainë kanë shoqëruar gjithashtu edhe mosmarrëveshjen mbi të ardhmen e Sirisë, si dhe një serie përpjekjesh të dështuara nga Moska e Uashingtoni për t’i dhënë fund luftës civile atje.

Artikulli paraprakMOREN RYSHFET,NDALOHET NJERI PREJ INSPEKTOREVE TE AKU
Artikulli tjetërFINANCIMI I PROJEKTEVE PER BUJQESINE,QEVERIA APLIKON NE KE