Banorët e lagjes 10 Korriku në Shkodër kanë kundërshtuar aksionin e firmës për shembjen e ndërtesave, e cila po zbaton projektin e Bashkisë Shkodër për rikualifikimin urban të blloqeve të banimit në zonën e njohur si fusha e druve.

2 të moshuar të familjes Ndoja në këtë bllok pallatesh nuk kanë lejuar mjetet e firmës që të shembin një shtesë, e cila funksionon si garazh. As ndërhyrja e përfaqësuesve të Bashkisë Shkodër, konkretisht drejtuesit të rajonit, nuk ka bindur pronarët që të lejojnë shembjen e ndërtesës. Kryetari i këtij rajoni pohoi jashtë kamerave se do të shemben të gjitha ndërtesat që janë parashikuar në projekt, duke përjashtuar këtu vetëm ato objekte që aktualisht janë në proces legalizimi.

Nga ana tjetër, banorë të tjerë flasin për pakënaqësi pasi sipas tyre Bashkia Shkodër ka zbatuar një procedurë të pabarabartë sa i përket shembjeve që janë bërë në këtë bllok pallatesh. Ndërkohë, vlera e shpronësimeve ka qenë e ulët për shkak se pjesa më e madhe e objekteve të shembura kanë qenë të ndërtuara në pronë publike dhe pa dokumentacionin përkatës.

Në projektin me vlerë rreth 300 milionë lekë të vjetra për rikualifikimin urban të këtij blloku banimi është përfshirë sistemimi i plotë i hapësirës përreth 14 pallateve. Ndërkohë, projekti që shtrihet në 11000 m2 ka hasur disa vështirësi sa i përket zbatimit, kjo për shkak të kundërshtimit nga ana e banorëve.

Artikulli paraprakEC: 14 VATRA ZJARRI NË DISA QARQE TË VENDIT
Artikulli tjetër4000 ABONENTË PA DRITA, NDËRHYN OSHEE