Është gjetur trupi i pajetë i policit të dytë, Armend Trena. Makina me të cilin udhëtonte Trena ra në lumin e Lepencës para dhjetë ditëve.
Lajmin për gjetjen e trupit të Armend Trenës e ka konfirmuar për Kallxo, zëdhënësi i ministrisë së FSK-së, Ibrahim Shala.
“Njësitë e kërkim shpëtimit të FSK-së, Policisë së Kosovës dhe AME-së (Agjencisë së Kosovës për Emergjenca) sot në orën 15 e 40, në kilometrin e 6-të (në hyrje të Hanit të Elezit) nga vend i aksidentit në lumin Lepenc, kanë gjetur trupin e pa jetë të policit Armend Trena”, tha MFSK.
Të enjten e kaluar, ekipet e shpëtimit kanë gjetur në lumin Lepenc trupin e pajetë të policit Malësor Dashi.