Gjykata: Hetimi i prokurorisë ndaj ILDKPKI i çorganizuar

Gjykata e Tiranës i ka quajtur veprimet hetimore të prokurorisë kundër ILDKPKI-së, si hetime të çorganizuara dhe aspak objektive. Nisur nga kjo situatë gjykata ka shfuqizuar vendimin e sekuestrimit të dokumentacionit dhe arkivës elektronike në ILDKPKI. Për gjykatën, sekuestrimi i të gjithë dokumentacionit, do të cenonte seriozisht punën e institucionit të ILDKPKI dhe do cenonte privatësinë e personave. Në vendimin e Gjykatës së Tiranës, nënvizohet: ”…dokumentat mund të këqyren apo mund të pyeten persona, etj. Këto veprime më të thjeshta, që nuk cenojnë institucione apo persona, mund të bëjnë të mundur identifikimin e faktit penal dhe drejtimin e hetimit drejt atyre fakteve. Mosidentifikimi i fakteve sjell një hetim të çorganizuar, siç duket edhe nga numri i vendimeve për sekuestrim që i janë drejtuar të njëjtit institucion….” Pas kësaj gjykata orienton prokurorinë që për çdo rast të evidentuar se ka konflikt interesi, duhet të paraqitet në ILDKPKI dhe të njihet nga afër me dokumentacionin dhe provat e tjera. Në kushtet kur hetimi ka filluar për një objekt kaq të gjerë, veprimtaria e prokurorisë duhet të ishte drejtuar tek identifikimi i fakteve konkrete që mund të përbëjnë fakte penale, pra veprime apo mosveprime konkrete të funksionarëve konkretë të ILDKPKI-se që kanë qenë në kundërshtim me ligjin dhe me përmbushjen e rregullt të detyrës. Nga ana e prokurorisë nuk ka asnjë indicia të qartë dhe të plotë në lidhje me faktin penal dhe autorët e mundshëm të tij. Gjykata e mirëkupton faktin që prokuroria ka nisur procedim penal mbi një artikull gazetë. Por gjykata nuk mund të lejojë mënyrën e sekuestrimit të një numri të tillë dokumentesh zyrtare pa sqaruar anën objektive të veprimit penal pasi kjo mënyrë është në kundërshtim me nenin 208 të Kodit të procedurës Penale dhe me parimet e procedimit penal dhe gjithashtu do të sillte një pengesë në ushtrimin e aktivitetit normal të institucionit,nisur nga numri i vendimeve për sekuestro në një kohë kaq të shkurtër. Ky hetim duhet të realizohej duke përdorur mënyra më pak ndërhyrëse të mbledhjes së provave. Sekuestrimi, duke qenë një mjet i kërkimit të provës me një shkallë të lartë ndërhyrjeje, pasi nënkupton marrjen e sendeve nga personi që i mban dhe mbajtjen e tyre për llogari të prokurorisë deri në përfundim të gjykimit,duhet të bazohet në prova të mbledhura me mjete të tjera më pak ndërhyrëse, të cilat të provojnë se sendet që do të sekuestrohen janë të domosdoshme për vërtetimin e fakteve. Aq më e vërtetë bëhet kjo kur bëhet fjalë për marrjen e dokumenteve zyrtare, të domosdoshëm për vazhdimin e funksionimit normal të institucionit përkatës. Në raste të tilla ndaj institucioneve shtetërore, Prokuroria ka mundësi ti ushtrojë kompetencat e saj investigative me mjete të tjera hetimore që e bëjnë të mundur identifikimin e faktit penal pa ndërhyrë në këtë masë në veprimtarinë e institucioneve te tjera. P.sh: dokumentet mund të këqyren apo mund të pyeten persona, etj. Këto veprime më të thjeshta, që nuk cënojnë institucione apo persona, mund të bëjnë të mundur identifikimin e faktit penal dhe drejtimin e hetimit drejt atyre fakteve. Mosidentifikimi i fakteve sjell një hetim të çorganizuar, siç duket edhe nga numri i vendimeve për sekuestrim që i janë drejtuar të njëjtit institucion. Sekuestrimi duhet të ndodhë atëherë kur prokuroria e ka të qartë se cili është fakti penal dhe cilat dokumente konkrete mund të përdoren për ta vërtetuar atë. Madje, edhe në këtë moment, do të duhet argumentim në lidhje me nevojën për të marrë fizikisht dokumentet autentike të një institucioni shtetëror, në një kohë kur nuk ka pretendime për falsifikime dhe as prova qe tregojnë se dokumentacioni mund te zhduket apo ndryshohet. Nisja e një procedimi të tillë penal dhe marrja e një mase të tillë ekstreme kërkon një argument të plotë ligjor të mbështetur mbi fakte, grup faktesh apo indicie të qarta në lidhje me dyshimin për ekzistencën e një ose disa veprave penale.

Artikulli paraprakARRESTOHET ME HEROINE SAPO ZBRET NGA TRAGETI
Artikulli tjetërSHQIPTARI NENKAMPION KARATEJE NE ANGLI,FITON MEDALJE ARGJENDI