Klubi Vllaznia në prag të ndeshjes me Teutën ka vendosur heshtje shtypi. Tri ndeshje radhazi pa fitore kanë bërë që kuqeblutë përpara sfidës ndaj durrsakëve të qëndrojnë në qetësi. Presioni tek Vllaznia në këtë fillim kampionati pas tri ndeshjeve pa fitore është rritur, kryesisht edhe pas humbjes në Laç. Heshtja e shtypit aq sa mund të ndikojë pozitivisht nuk përjashtohet që të ketë edhe efektin e kundërt tek lojtarët duke e shtuar më shumë presionin për shkak të pritshmërive të një rezultati pozitiv. Situata pas humbjes me Laçin ndoshta ka ndikuar në klub, por gjithsesi duket disi absurde që trajneri Memelli dhe futbollistët të mos dalin para mediave.

Kalendari u rezervon kuqebluve dy ndeshje rradhazi në shtëpi dhe synimi i klubit është që të merren gjashtë pikë. Ndërkohë, humbja me përmbysje ndaj Laçit, përtej rezultatit, dha një impakt negativ edhe te shtimi i numrit të të dëmtuarve te skuadra e Vllaznisë. Kështu, ndaj kurbinasve, u dëmtua Esin Hakaj, i cili doli nga fusha në minutën e 62-të, duke çaluar, pasi mori një dëmtim në këmbën e majtë. Futbollisti në fjalë do ta humbasë duelin e së shtunës me Teutën që do të luhet në “Loro Boriçi”, teksa ai mësohet se ka pësuar një tërheqje në këmbën e majtë.

Megjithatë, si të mos mjaftonte Hakaj, do të mungojnë edhe dy futbollistë të tjerë të dëmtuar, teksa bëhet fjalë për dyshen Marko Juriç dhe Flori Spahija. I pari mungoi në takimin ndaj Laçit, pasi u mësua se kishte një kontraktim muskular, ndërsa për mbrojtësin e majtë Spahija duket se miqësorja mes U-21 dhe U-19 të Vllaznisë e ka lënë me pasoja jo të vogla. Ai është dëmtuar dhe me shumë gjasa për më shumë se një muaj e gjysmë do të mungojë edhe në stërvitje. Ajo që po shqetëson është fakti se pothuajse të gjithë futbollistët po ndiejnë jo pak shqetësime. Mbingarkesa në këtë periudhë, ku ngjeshja e takimeve është e madhe, mesa duket po jep shenja jo të mira te futbollistët, teksa kjo po shoqërohet me dëmtime të njëpasnjëshme dhe me një skuadër që në aspektin fizik lë për të dëshiruar.

Artikulli paraprakMBLIDHET PAS 45 VITESH MATURA E “KOLË IDROMENO”
Artikulli tjetërKJO FUNDJAVË SJELL LAJME TË MIRA NË DASHURI, SHFRYTËZOJENI… ÇFARË THONË YJET PËR JU SOT