Nuk mund t’i mbash dot lotët teksa sheh fotot e një familje të tërë, jo varur në një kornizë, por në shtyllën e njoftimeve të të vdekurve.

Janë pjesëtarët e familjes Reçi që u ndanë tragjikisht nga jeta në tërmetin fatkeq që goditi Shqipërinë të martën. Eduardi 54 vjeç, Dolora 49, Kristi 25 vjeç dhe Klausi 21-vjeçarë, u larguan nga kjo botë në krahët e njëri-tjetrit mbërthyer nga frika dhe tmerri i një tërmeti që kjo familje nuk i shpëtoi dot.

Ata u nxorrën të pajetë nga rrënojat e pallatit 6 katësh në lagjen 18 në Durrës, pranë Kryqit të Kuq. Të parët, Kristi dhe babai i saj. Dhe pas orëve të tëra nën rrënoja u nxorrën të përqafuar nëna dhe djali. Kristi kishte mbaruar shkollën e Mjekësisë dhe shumë shpejt priste të vishte bluzën e bardhë për t’i shërbyer komunitetit.

Vëllai i saj i vogël, Klausi dëshironte të bëhej inxhinier dhe për këtë vazhdonte studimet. Familja Reçi, Eduardi është xhaxhai i këngëtares së njohur Evi Reçi.

Të gjithë familjes ju dha lamtumira pas homazheve të mbajtura tek pallati i Kulturës në Durrës. Në homazhe mori pjesë edhe djali i kryeministrit Edi Rama, Gregori, i cili në rrjetet sociale ndau lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të Kristit dhe familjes së saj, teksa shfaqi miqësinë e ngushtë që kishte pasur me të.

“U prehsh në paqe Kiki”, shkruan Gregu në rrjetet sociale teksa ka postuar një foto të Kristi Reçit, të buzëqeshur, me kokën e ulur poshtë.

…Një buzëqeshje që ajo kurrë nuk e kishte menduar se do të mbetej vetëm kujtim në foto, pas këputjes në mes të jetës dhe ëndrrave të saj.

Artikulli paraprak“BASHKË NË DITË TË VËSHTIRA”, RAMA SHPËRNDAN MESAZHIN E BASHËS
Artikulli tjetërSTAR PLUS TV NE DURRES,NDJEK SITUATEN E KRIJUAR NGA TERMETI