Iftari i parë i muajit të shenjtë të Ramazanit ka bërë bashkë disa prej figurave kryesore të politikës shqiptare. Në një darkë të shtruar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, ku i pranishëm ka qenë edhe presidenti i vendit, Bajram Begaj, të pranishëm kanë qenë edhe figurat kryesore të partive politike shqiptare.

Ajo çfarë bie në sy është fakti se në të njëjtën tavolinë janë të ulur, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, sekretari i Përgjithshëm i PS-së. E pranishme në tavolinë me ta është edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim. Begaj i ulur pranë kreut të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë si dhe kryegjyshit botëror bektashian, Baba Mondit, ka shprehur edhe urimet e tij për nisjen e muajit të shenjtë.

“Ishte kënaqësi e madhe për mua t’i bashkohesha tryezës së iftarit të parë të muajit të shenjtë të Ramazanit. Ky muaj është një mundësi, në të cilën shqiptarët e besimit mysliman afrohen me Zotin nëpërmjet agjërimit dhe veprave të mira. Dëshiroj t’i uroj agjërim të lehtë e të pranuar të gjithë besimtarëve. Ramazani është muaji i paqes, mëshirës hyjnore dhe solidaritetit ndërnjerëzor. Është muaji i mirësisë ku dalin në pah cilësitë më të mira të njeriut si përkushtimi, toleranca, durimi dhe dashuria për Zotin e njëri-tjetrin. Gëzuar Muajin e Bekuar të Ramazanit! Të keni paqe e begati në familjet tuaja! Agjërim të lehtë e të pranuar!”-shkruan Begaj.

 

Artikulli paraprakRAMA-BRITANIKËVE: SHQIPTARËT KETU VIJNË TË NDERTOJNË, TË KËNDOJNË PËR JU
Artikulli tjetërPËRFUNDON TAKIMI DYPALËSH I RAMËS ME SUNAK, DEKLARATA E PËRBASHKËT: EKIPI I PËRBASHKËT DO VLERËSOJË KAPACITETET E BURGJEVE NË SHQIPËRI,