Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Shkodër Ilir Beqaj i është rikthyer sërish protestës që u mbajt në 12 dhjetor në Shkodër e cila përfundoi me djegien e selisë së PS në Shkodër. Deputeti Beqaj deklaron se nuk është aspak e vërtetë se protesta në Shkodër ishte një zemërim i rinisë por qartazi e organizuar nga PD dhe LSI.

Beqaj në një status të tij facebook shkruan se fakti që janë proceduar në gjendje të lirë kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi, bashkëshorti i saj dhe punonjës të tjerë të administratës tregon qartazi se protesta ishte e instrumentizuar kjo edhe për faktin se

vetëm në Shkodër ku bashkinë e një kryetare e PD kanë shpëtuar pa u djegur e dëmtuar zbukurimet e vendosura për fundvit në një kohë që në Tiranë apo qytete të tjera vijojnë dëmtimet thotë deputeti Beqaj në këtë reagim të tij:

“Ka një përpjekje të PD-së dhe LSI-së për të orientuar opinionin publik se protestat e ditëve të fundit nuk janë të organizuara prej tyre, por janë shprehje e zemëratës rinore dhe se ato e kanë për detyrë t’i mbështesin. Zjarrvënia ndaj selisë së PS-së në Shkodër ka qënë nga ngjarjet e dhunshme kulmore në protestat e këtyre ditëve.

Po radhis disa fakte për të lënë këdo të bëjë vlerësimin e vet. Protesta e të shtunës në Shkodër u lajmërua që të premten, madje edhe intenerari i saj përfshirë selinë e PS-së. Vetë kryetarja e bashkisë Shkodër u vu në krye të protestës. Çfarë duhet të mendojë kushdo që proteston dhe që di se në krye të protestës është dikush që deklaronte para një viti e gjysëm se “Po të kisha edhe unë Molotov do të gjuaja edhe unë me Molotov ….”?

Ja cilët janë disa nga personat e proceduar nga policia për dhunën në protestën e të shtunës në Shkodër:

• Kryetarja e Bashkisë

• Bashkëshorti i kryetares së Bashkisë

• Nënkryetari i Bashkisë

• Drejtori i Shërbimeve Publike në Bashki

• Polic bashkiak

• Kryetari i FRPD.

Atëherë, të rinjtë shkodranë janë të “zemëruar” apo të instrumentalizuar nga Partia Demokratike në Shkodër? Shkodra është i vetmi qytet ku “zemërimi” rinor nuk ka cënuar për fat të mirë zbukurimet e vëna nga bashkia në prag të festave të fundvitit. Si është e mundur që “zemërim” rinor ka kudo, përveç Shkodrës, me zbukurimet e fundvitit?

Që në fillim të javës, pa ia kërkuar askush, Sali Berisha riktheu pjesë të retorikës politike mburrjet e tija pse kishte vrarë 4 vetë në 21 janar 2011 dhe keqardhjen që nuk vrau dot më shumë në 22 janar 2011 përfshi edhe vetë Edi Ramën.

Besoj se është e qartë botërisht se kush e frymëzon, organizon, madje edhe realizon dhunën e javës së fundit”, përfundoi Beqaj.

Artikulli paraprakSHPËRTHEU VULLKANI ‘ETNA’, REGJISTROHEN 17 TËRMETE GJATË 24 ORËVE TE FUNDIT
Artikulli tjetërSHKODËR, KËSHILLTARI: FUSHA “RESHIT RUSI” SKANDALOZE