Ambasadori i Britanisë në vendin tonë, Alastair King-Smith, ka shpërndarë një mesazh pas ndarjes nga jeta të mbretëreshës Elizabeth II.

Ai u shpreh se të gjithë janë të dërrmuar nga ndarja nga jeta e Madhërisë së Saj, ndërsa ka shtuar se mbretëresha nuk ishte vetëm shëmbëlltyra e shërbimit publik, por Matriarkja dhe fryma e Britanisë së Madhe dhe popullit britanik.

Mesazhi i plotë:

Të gjithë jemi të dërrmuar nga vdekja e Madhërisë së Saj, Mbretëreshës.

Ajo është monarkja më jetëgjatë në historinë e Mbretërisë së Bashkuar. Ajo ishte shëmbëlltyra e shërbimit publik, tërësisht e përkushtuar ndaj vendit dhe popullit të saj. Edhe këtë javë, në ditët e fundit të jetës, ajo qëndroi e përkushtuar në kryerjen e detyrës, duke pritur kryeministrin e saj të pesëmbëdhjetë.

Ajo ishte Matriarkja dhe fryma e Britanisë së Madhe dhe popullit britanik. Përkushtimi i saj ndaj detyrës ka qenë frymëzim për mua dhe për të gjithë nëpunësit publikë ndër vite. Dhe unë besoj se Mbretëresha do të vazhdojë të frymëzojë shumë breza të ardhshëm në Mbretërinë e Bashkuar dhe në botë.

Siç tha edhe Madhëria e Tij Mbreti Charles III:
“Sot mbajmë zi për vdekjen e Sovranes sonë të cmuar dhe nënës sonë të dashur. Unë e di se humbja e saj do të ndjehet thellësisht në të gjithë vendin, mbretëritë dhe Komonuellthin si dhe nga shumë njerëz në të gjithë botën”.

Në Shqipëri dhe në këtë rajon, Madhëria e saj Mbretëresha do të kujtohet për Urdhrin e Meritës që i dorëzoi Nënë Terezës, në Nëntor të vitit 1983, si njohje për shërbimin e saj të jashtëzakonshëm për njerëzimin.

Gjatë këtyre ditëve të vështira që na presim, do të bashkohemi mes nesh në Mbretërinë e Bashkuar, Komonuellthin dhe botën për të kujtuar trashëgiminë e saj të jashtëzakonshme.

Kurora i ka kaluar Mbretit Çarls i III-të. Ndërsa mbajmë zi bashkë me të për largimin e Madhërisë së saj, ne i japim atij dhe familjes së tij ngushëllimet si dhe urimet për të ardhmen.

Artikulli paraprakVODHËN QINDRA MIJËRA EURO DHE SENDE ME VLERË, ‘SKIFTERËT’ SHQIPTARË PLAÇKISIN ISHULLIN E FAMSHËM GREK
Artikulli tjetër“GËZONTE DASHURI DHE RESPEKT NË SKENËN BOTËRORE”, PUTIN NGUSHËLLON FAMILJEN MBRETËRORE PAS VDEKJES SË MBRETËRESHËS