MINISTRJA E ARSIMIT DHE SPORTEVE MBRON KOMBËTAREN KUQ E ZI. Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla, duke shprehur tronditjen nga vendimi i UEFA-s, fton gjithë shqiptarët t’i bashkohen për të vënë në jetë një ide të thjeshtë: Shpërndarjen e një videodokumenti, të cilin UEFA nuk deshi ta merrte në konsideratë kur vendosi ndëshkimin e Shqipërisë me humbje të ndeshjes në tavolinë.

Me një tekst në anglisht, gjermanisht dhe shqip në video rrëfehet dhuna që kanë pësuar lojtarët shqiptarë, thirrjet nacionaliste serbe ‘vrisni shqiptarët derisa mos të mbetet asnjë’, detaje mbi shkeljet që janë bërë nga serbët gjatë atyre 41 minutave lojë dhe më pas, por që sipas Nikollës, nuk u morën parasysh nga UEFA. Si shqiptare jam e tronditur si të gjithë ju nga vendimi i djeshëm i UEFA-s. Por si njeri i mësuar të mos tërhiqem nga betejat qytetare dhe të ngul këmbë deri në fund në bindjet e mia, në mbrojtje të vlerave dhe normave të mija, besoj se kemi ende për të bërë. Kemi ende për të bërë duke qëndruar në nivelin më të mirë të qytetarisë europiane. Tamam ashtu siç e kemi manifestuar si skuadër kombëtare, si bashkësi mbështetësish të kuqezinjve tanë, si Federatë Shqiptare e Futbollit dhe si qeveri e Shqipërisë, qysh prej mbrëmjes së 15 tetorit. Në këtë video është dokumentuar e vërteta që UEFA mundi ta shihte, pa mundur ta respektojë, për të respektuar Fair Play-n dhe vetveten! Por këtë të vërtetë bota nuk e ka parë, përveçse në disa copëza shumë të vogla, që edhe ato u sfumuan nga hutimi i çuditshëm pas një kukulle fluturake me një banderolë. Jam e bindur se shumë shpejt UEFA do të kuptojë se janë shumë më tepër sy e veshë, sesa sytë dhe veshët e shqiptarëve, të cilët do të presin të shohin e të dëgjojnë si do t’i shkojë halli drejtësisë së munguar në këtë ditë të trishtueshme për Fair Play-n në Evropë dhe për drejtësinë në gjirin e UEFA-s! 

 

[iframe width=”300″ height=”300″ src=”//www.youtube.com/embed/hBW9DABTvtc?list=UU0aBDfsVqdL53NOE5eMXAUw” frameborder=”0″ allowfullscreen ]
Artikulli paraprakAKTI NORMATIV, ZGJIDH NDIHMËN EKONOMIKE
Artikulli tjetërNË SHKODËR KA EDHE TEATËR SOCIAL